Austria kërkon korsi të shpejtë për Ballkanin: Vendet e rajonit në të njëjtën lartësi me ato të BE

Austria kërkon futjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në korsinë e shpejtë të integrimit në BE.

Ministri federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Michael Linhart, deklaroi nga Tirana se vendet e rajonit janë në të njëjtën lartësi me vendet anëtare të BE.

Linhart: Është me rëndësi të thuhet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në lartësinë e vendeve anëtare të BE dhe mendoj se ato tashmë duhet të futen në korsinë e shpejtë dhe të mos lihen në rrugë dytësore si janë lënë deri tani. Bashkë me Çekinë dhe Sllovakinë kemi bërë disa propozime të cilat i diskutuam për herë të parë të hënën e shkuar në Këshillin Europian.

Ne duam që vendet e Ballkanit Perëndimor të ftohen dhe në mbledhjet e Këshillit sepse mendoj që nuk duhet të flasësh vetëm për Ballkanin por duhet të flaësh dhe me vendet e Ballkanit. Sigurisht që ky bashkëpunim duhet të fuqizohet shumë edhe në luftën kundër korrupsionit dhe migracionit të palejuar dhe këtë mund ta bëjmë duke bërë samite të përbashkëta mes vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deklarata i bëri në konferencën për mediat me ministren tonë të jashtme Olta Xhaçka pas takimit që patën mes tyre.

Xhaçka u shpreh se vizita e Michael Linhart në Tiranë është tregues i vëmendjes që Austria i kushton Shqipërisë dhe rajonit.

Xhaçka theksoi se Austria ka dhënë kontribut të konsiderueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.

Ministrja gjithashtu shprehu mirënjohjen ndaj Austrisë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian

Xhaçka theksoi se përforcimi i angazhimit të BE-së dhe bashkëpunimin politik me BP është i domosdoshëm.

Ministrja nënvizoi se Shqipëria ka bërë përpjekje të qenësishme për implementimin e disa reformave të rëndësishme.