Dy vakancat në Kushtetuese, KED lejon garën vetëm për një nga tre kandidatët

Ervin Karamuço, avokat pranë Avokatit të Popullit, është i vetmi kandidat që do të mund të vazhdojë garën për të plotësuar nga nga dy vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme nga  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës dhe pasi dëgjoi edhe mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave.

Ndërkohë dy kanditatët e tjerë Zhaklina Peto dhe Helena Papa nuk do të vazhdojnë më tej  pasi kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Vendimet e plota dhe të zbardhura për ndalimin e kandidimit të tyre do të publikohen të arsyetuara në faqen zyrtare ëeb të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.