Tentoi të vrasë 23-vjeçarin në bulevardin e Kamzës, policia vë në pranga të riun, i sekuestrohet pistoleta

Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmë në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë.

Në pranga ka përfunduar një 32-vjeçari Esat Selimaj, i cili për motive të dobëta qëlloi me pistoletë për ta vrarë një shtetas pas një konflikti të çastit.

Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 32-vjeçari qëlloi në drejtim të 23-vjeçarit.

"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme për një konflikt të çastit të ndodhur në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e konfliktit dhe parandalimi i mëtejshëm i këtij konflikti me pasoja të rënda për jetën.  Si rezultat u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit E. S., 32 vjeç, banues në Kamzë. Ky shtetas, në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë, dyshohet se ka qëlluar për motive të dobëta, me armë zjarri në drejtim të shtetasit I. I., 23 vjeç, banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje" njoftoi policia.

Shtetasi E. S., në një distancë rreth 50 metra, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit I. I., i cili në momentet e para, nuk e ka deklaruar këtë fakt në Polici. 

Shërbimet e Policisë, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe më pas gjatë arrestimit të shtetasit E. S., kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pistoletë me fishekë luftarak.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.