Po transportonin 3 klandestinë drejt Tiranës, policia arreston trafikantin, bashkëpunëtori ja fut vrapit
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 40-vjeçar për trafik të klandestinëve.
Në vijim të operacionit "Muzgu", për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë të shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. D, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.
Ai u kap në flagrancë në aksin nacional Kakavijë-Gjirokastër, në vendin e quajtur "Ura e Lumit", duke transportuar me një automjet "Volkswagen" që e drejtonte pa leje drejtimi 3 emigrantë të paligjshëm në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 300 euro për person.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi S. Z., 23 vjeç, banues në Durrës, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit S. D. i është gjetur një mjet i mprehtë, thikë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një thikë.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

