Maturantët ekselentë vlerësohen me "Medaljen e Artë", mesazhi i Ramës: Mos kini frikë nga ëndrrat tuaja!

Maturantët ekselentë u shpërblyen sot për rezultatet e tyre me "Medaljen e Artë" .

Në ceremoninë e mbajtur në ambjentet e kryeministrisë, Rama vlerësoi mundin e nxënëseve për rezultatet e arritura dhe falenderoi prindërit e tyre për mbështetjen që ato u kanë dhënë.

Ai inkurajoi të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos kenë frikë sado të mëdha qofshin ato.

Rama: Për shkak të detyrës kam vizituar shumë familje në situatë të vështirë ekonomike dhe ajo që më mbetet si mbresë e pashlyeshme në ato familje, ku ndonjë rast edhe vet çati e shtëpisë ishte e pamjaftueshme për të mbajtur shiun kam pasur kënaqësinë të takojë fëmijë që shkëlqenin në mësim. Fëmijë që mësonin në kushte më të pamundura fizike, fëmijë që nuk mjaftoheshim vetëm me gjuhën shqipe po flisnin anglisht rrjedhshëm, ndërkohë që në shtëpinë e tyre diskutohej sfida e përditshme e ushqimit në tavolinë. Kjo ceremoni është pasqyra e një brezi që kalon kohën vet më të bukur të shkollës në situata që nuk i ngjajnë njëra tjetrës, por që mbledh një grup vajzash e djeshme që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës për sa i përket statusit të familjes por që i bashkon se janë ekselentë.

Përshëndes prindërit tuaj të cilët qofshin të kamur qofshin të varfër meritojnë një respekt shumë të madh e uroj që respekti për ta ju mos t’ju ndahet asnjëherë. Pa prindërit dhe pa mbështetjen e tyre do ishte e vështirë. Kjo që keni arritur do t’ju vlejë për të mos pasur asnjë frikë nga ëndrrat më të mëdha të mundshme. Kjo është prova që asgjë nuk është e pamundur, kur njeriu është i gatshëm të përkushtohet me gjithë zemër. Mos kini asnjë frikë nga ëndrrat tuaja. Sa më të mëdha të jenë aq më shumë  sakrifica që kërkojnë dhe nëse jeni në gjendje të bëni këto sakrifica  kini besim që do t’ja dilni dhe nga maja ku do të arrini do të mund të shikoni qetësisht të gjithë ata që ndërkohë ju kishin thënë se kjo nuk bëhet. Hegeli thotë se nuk ka asgjë që nuk mund të bëhet ka vetëm njerëz që nuk arrijnë ta bëjnë.

Ndërkohë Ministrja e Arsimit Kushi tha se sfidë mbetet mbajtja e të rinjve në Shqipëri dhe për këtë ajo tha se do të sjellin universitetet më të mira europiane për të rritur cilësinë e arsimit.

Kushi: E sapo filluam përgatitjet për këtë ceremoni, shqetësimi i parë që kisha bashkë me stafin ishte “sa prej të rinjve që përfitojnë medalje do të mungonin sot”, për shkak se studiojnë jashtë vendit. Pa dyshim që ata që studiojnë jashtë vendit na bëjnë shumë krenarë njësoj si ju, por unë nuk e fsheh dot që një nga sfidat tona më të mëdha të momentit është që të rinjtë tanë, e sidomos ata më të mirët, si ju, të vazhdojnë të studiojnë e jetojnë këtu në Shqipëri.

E pikërisht për këtë, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, ne po punojmë fort për të rritur cilësinë e arsimit të lartë, duke sjellë universitetet me te mira këtu, duke hapur programe studimi të përbashkëta apo të dyfishta, me qëllim që diploma juaj të këtë vlerë njësoj si diplomat e studenteve në BE. Kemi tashmë disa rezultate pozitive. Për shembull para pak javësh, bashkë me rektorin e Universitetin e Mjekësisë së Tiranës vizituam Universitetin e Bolonjës (933 vjeçar), ku firmosëm edhe një marrëveshje për program të përbashkët PHD. Ky fakt dëshmon se universitetet tona janë ngritur në një nivel të ri. Pa dyshim ka nevojë për shumë punë akoma, por jemi absolutisht në një nivel të ri.

Ministrja shtoi se e rëndësishme po ashtu është edhe garantimi i punësimit për të rinjtë, duke përmendur platformat që i ndihmojnë ata në këtë aspekt.