Ora News zbulon raportin policor: Ruzhdi Hoxha u gropos në terren të mbushur me gëzhoja.Sekuestrohet 1 gëzhojë e pjata me përmbajtje droge
“Ora News”, zbulon detaje të reja nga një raport policor, lidhur me rrëmbimin, vrasjen e groposjen e biznesmenit, Ruzhdi Hoxha, i cili u gjend i pajetë, prapa Malit të Dajtit në zonën e Qafë-Mollës.
Raporti ekskluziv policor, hedh dritë mbi detaje konkrete të një hetimi që ka nisur në 24 Tetor 2021 dhe vijon të jetë ende aktiv në policinë dhe prokurorinë e Tiranës. Biznesmeni është rrëmbyer pa veprime të dhunshme në zonën e “Ardenos” në Tiranë, por rrjedha e ngjarjes bëri që ai të gjendet i mbuluar me gurë dhe zhavorr, në një terriror toke që përdoret nga pjesëtarë të grupeve kriminale si poligon qitje me armë. Deri në këtë fazë të hetimit, ende nuk është zbuluar nëse Ruzhdi Hoxha është ekzekutuar në vendin ku u gjend i varrosur apo diku tjetër.
Në raportin e siguruar ekskluzivisht nga “Ora News” evidentohet, fakti se në vendin ku qeni i policisë gjeti trupin e pajetë të Ruzhdi Hoxhës, janë gjetur dhjetëra gëzhoja të ndryshme pistolete dhe automatiku. Këto gëzhoja kanë qënë të ndryshkura, apo të dekompozuara nga faktorët atmosferikë.
Sekuestrohet gëzhoja
Por policia ka marrë vetëm njërën prej gëzhojave të gjetura në vëngjarje. Atë që ishte më e freskëta dhe që besohet se është qitur nga arma, që mund të ketë vrarë Ruzhdi Hoxhën, raporton Ora News.
Viktima është qëlluar me një plumb të vetëm në qafë, duke i shkaktuar dy plagë tejshkuese, hyrëse dhe dalëse, e për pasojë predha nuk është gjendur ende. Gëzhoja e pistoletës, tashmë është dërguar për ekzaminim në policinë shkencore, me shpresën e gjetjes së armës dhe implikimit të saj, në ndonjë ngjarje kriminale.
Ndërsa në vendgjarje jo shumë larg vendit ku u gjend trupi i pajetë, 15 metra poshtë rrugës nëpërmjet qenit, policia ka arritur të gjejë dhe një pjatë, e cila dyshohet se ka mbetje lënde narkotike.
Mister "Passati"
Veç predhës që dyshohet se i ka marrë jetën biznesmenit, nuk është arritur të gjendet dhe makina tip “Passat”, e cila nga hetimet rezulton se nuk ka qënë në emër të Ferdinand Rrushit, personit të arrestuar si autor i vrasjes, por në emër të një femre, Arjeta Isufaj. Kjo e fundit është marë në pyetje së bashku me, Mikel Isufaj, i cili ka deklaruar se:”…qysh prej vitit 2019 këtë makinë ja kam dhënë shtetasit, Fredi Rrushi.
Ne kemi bërë vetëm një prokurorë të Posaçme, duke qënë se automjeti që në kohën e blerjes ka pasur një problem me doganën dhe nuk mund të bëhej akti i shitjes. Unë nuk kam pasur asnjë dijeni nëse Fredi Rrushi, i ka ndërruar pronësinë makinës ose jo…”, raporton Ora News.
Xhupi i zi
Ndërkohë pa shkuar tek gëzhoja dhe trupi i mbuluar me gurë i Ruzhdi Hoxhës, policia gjeti në datën 5 nëntor 2021 një xhup të zi. Xhupi nuk i përkiste Ruzhdi Hoxhës, por shtetasit Elion Topi. Ky i fundit është identifikuar nga pamjet filmike se këtë xhup e kishte përdorur mbrëmjen e datës 21 Tetor dhe më pas ja ka dhënë për ta veshur Ruzhdi Hoxhës, pasi ky i fundit i ka pohuar se kishte pak ftohtë.
Si provë material policia ka sekuestruar dhe një këpucë të Ruzhdi Hoxhës. Aktualisht për këtë çështje vijojnë të qëndrojnë në burg, dy vëllezërit Ferdinad dhe Pajtim Rrushi, për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, “Fshehjes dhe asgjësimit të kufomës”, “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
