Lejuan kalimin e mjetit me mallra kontrabandë, SHÇBA arreston doganierin dhe policin e doganës së Goricës
Një efektiv policie dhe një doganier në doganën e Goricës janë arrestuar nga SHÇBA me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në pranga kanë rënë:
- N/komisar J. H., 39 vjeç, me detyrë punonjës policie Përgjegjës Turni në PKK Goricë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
- P. M., 41 vjeç, me detyrë Doganier në Doganën Goricë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
Arrestimi i tyre erdhi pas kapjes së një sasie produktesh të ndryshme mallrash kontrabandë.
"Nga informacionet e marra në rrugë operative, SHÇBA Korçë finalizoi operacionin “Shoqëruesit”, pasi rreth orës 17:10, ditën e djeshme, në aksin rrugor Dogana Goricë - fshati Gollomboç u bë kapja në flagrancë e shtetasit V.N. drejtues i mjetit tip "Ëolsvagen Sharan", ku pas kontrollit në mjet janë gjetur produkte të ndryshme mallrash të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar Goricë".
SHÇBA Korçë ka bërë ndalimin dhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit, shtetasit V. N., i dyshuar për veprën penale “Kondrabanda me mallra të tjerë”.
"Arrestimi i punonjësit të policisë u krye pasi nga veprimet e para proceduriale të kryera në lidhje me këtë ngjarje, ka rezultuar e provuar se në momentin kur mjeti me drejtues shtetasin V.N. është paraqitur në hyrje të RSH, punonjësi i policisë J.H. në bashkëpunim me punonjësin e doganës shtetasin P. M. kanë lejuar kalimin e mallrave kontrabandë duke bërë dhe shoqërimin e mjetit deri në vendin që ai është kapur nga policia gjyqësore e SHÇBA" sqaron policia.
Në lidhje me këtë ngjarje u referuan materialet proceduriale në gjendje të lirë për punonjësin e policisë, Inspektor E.Ç., 21 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Kontrollor në PKK Goricë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Materialet u referuan për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

