Edhe psikologë në qendrat shëndetësore. Miratohet plani kombëtar 5 vjeçar për personat LGBTI e komunitetin Rom
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se në qendrat shëndetësore për herë të parë do të jenë edhe punonjës social dhe psikologë, si pjesë e Planit të Veprimit të ministrisë për evidentimin dhe kujdesin në vazhdim për problematika të shëndetit mendor.
“Implementimi i të cilit fillon duke u mbështetur me buxhetin e vitit 2022”, deklaroi Manastirliu
Këtë deklaratë Ministrja e bëri pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku bëri me dije vendimet e fundit të qeverisë, për miratimin e Planit Kombëtar 5- vjeçar të Veprimit për Komunitetin Rom dhe Egjiptian dhe Planit Kombëtar të Veprimit për mbështetjen e personave LGBT+.
Plani Kombëtar i Veprimit për Komunitetin Rom dhe Egjiptian është hartuar me bashkëpunimin dhe me mbështetjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë civile, me synim për të rritur aksesin në shërbime, për më shumë punësim, më shumë arsimim, më shumë mbështetje përsa i përket politikave të strehimit social dhe për integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Po sot, në mbledhjen e qeverisë është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI+ 2021-2027, i cili vendos theksin tek lufta kundër diskriminimit, homofobisë dhe garanton nëpërmjet nismave konkrete rritjen e aksesit të personave LGBTI+ në arsimim, shëndetësi, strehim, mbrojtje dhe mbështetje për punësimin për personat LGBTI+.