Tërmeti, ndahen banesat e reja në Lezhë, përfitojnë 86 familje nga raundi i parë me short
Në Lezhë është hedhur këtë të enjte shorti për ndarjen e banesave të reja të atyre që u prekën nga tërmeti i nëntorit të 2019. 86 familje ishin të parat që morën banesat e reja, që sipas Bashkisë do të jenë gati këtë muaj, ndërsa i gjithë procesi i rindërtimit sipas zyrtarëve do të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë të 2022.
86-familje të prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019-të në bashkinë e Lezhës do të hynë në apartamentet e reja të rindërtuara brenda këtij muaji.
Shorti për ndarjen shtëpive të para u hodh këtë të enjte nga përfaqësuesit e Bashkisë në prani të banorëve.
Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj, thotë se proçesi i rindërtimit do të përfundojë brenda 6 mujorit të parë të vitit 222.
"Rindërtimi ka filluar të marrë formë, shpresoj që në gjysmën e vitit tjetër të ketë përfunduar gjithçka."
Banorët që moren apartamentet e rindërtuara shprehen të lumtur që pas 2 vitesh arritën të marrin banesat e reja.
"Jemi të kënaqur që po marrim një apartament më të mirë."
"Të kënaqur jemi, shorti transparent, faleminderit që u bëmë me shtëpi."
Termeti i mëngjesit të 26-nëntorit të vitit 2019-të shkaktoi dëme të shumta, duke lënë pa shtëpi rreth 500 familje në bashkinë e Lezhës.

