"Ajo që vuajmë sot pasojë e 1997" Avokatja e Popullit kundër "Regjistrit të krimeve seksuale": Nuk zgjidh problemin
Avokatja e Popullit shprehet kundër krijimit të një regjistri Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale. Ky draft u propozua nga deputetja e LSI-së Erisa Xhixho.
Për Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca krijimi i një regjistri të tillë do të krijonte pikëpyetje shumë të mëdha. Duke iu referuar dhe rastit të rëndë të vrasjes së fëmijës 8 vjeçar nga fqinji I tij në fshatin Grecalli të Fierit, Avokatja thotë se një dënim I ashpër penal nuk zgjidh problematikën që ka shoqëria.
“Një regjistër një dënim më i ashpër penal apo dhe politikë më e ashpër penale nuk janë zgjidhje për problemet strukturore. Mund të adresojnë problemin në mënyrë të caktuar. Për mua si avokate e popullit kanë dhe problem jo të vogla. Nuk mund ti tregojmë me gisht. Nëse themi që këta persona nuk do të rehabilitohen kurrë sepse do i kemi gjithmonë në një regjistër të posaçëm kemi një pikëpyetje të madhe? Atëherë çfarë kemi realizuar?
Duhen shumë elementë. Duhen shumë iniciativa. Nuk ka një iniciativë e cila si një deus ex makina të ndryshojë qasjen e gjithë këtyre viteve ndaj edukimit të fëmijëve, cilësisë së ulët të edukimit të fëmijëve që të arrijmë që me një regjistrër të zgjidhim problemet strukturore.
Zonja Ballanca solli si shembull rastin e Islandës ku kishin një nivel shumë të lartë të fëmijëve që binin pre e alkoolit e drogave. Atëherë ata bënë një politikë të madhe për edukimin sportiv.
“Politika sociale duhet të jetë strukturore e rëndësishme me një financim të madh që të marrësh një rezultat pas 20 vitesh. Ajo që ne po vuajmë sot është rezultati i viteve të tmerrshme 1997/ 1998/ 1999 të një kujdesi minimal për ata qytetar”
A kemi institucione të forta e të shëndetshme qoftë për agresorët dhe fëmijët të cilët bien pre?
“Jo nuk kemi as institucione të forta dhe as të shëndetshme. Kemi disa institucione të cilat sigurisht kanë problematikat e tyre”
Sot Avokati i Popullit organizoi një aktivitet për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e abuzimeve.