U arratis nga regjimi komunist, sot emigranti shqiptar kandidon për postin e Senatit në Nju Jork

Aleksandër Mici është shqiptari emigrant, i cili kandidon për postin e Senatit të Nju Jorkut në SHBA.

Aleksandër Mici është arratisur nga Shqipëria komuniste e viteve '90 dhe thotë se rritja nën regjimin e diktatorit, Enver Hoxha, ishte një përvojë formuese për të dhe se kjo është arsyeja pse ai e do Amerikën dhe përçmon socializmin.

“Vizioni i së majtës për Amerikën nuk është Amerika që brezat e emigrantëve si unë luftuan për ta arritur”, thotë Mici për "New York Post".

Sot 46-vjeçari shqiptar ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale për senator i Nju Jorkut.

Ndërsa rivali i tij dhe senator aktual, Chuck Schumer po kërkon një mandat të pestë.

Në një intervistë për "New York Post" Mici kujton rrugën e rrezikshme që përshkoi në moshën 15-vjeçare, për tu larguar nga Shqipëria dhe për të shkuar në një vend tjetër, për një jetë më të mirë.

U arratis nga regjimi komunist, sot emigranti shqiptar  kandidon për postin
Aleksander Mici beson se Chuck Schumer po e vendos SHBA-në në të njëjtën rrugë të dështuar si Shqipëria.

Si gjithë shqiptarët e viteve '90, Mici tregon eksperiencën  e tij të eksodit, kur hipi në një traget të mbushur plotë, për të arritur në brigjet e Italisë.

"Njerëzit vdisnin nga etja dhe uria, madje disa u vranë nga bandat", thotë Aleksandri.

Ai mbërriti në Amerikë, në moshën 15-vjeçare dhe thotë se në emër të mbijetesës, ka bërë punë të rënda në Itali.

"Për Amerikën ia vlen të luftohet dhe unë nuk mund të rri duarkryq, ndërsa socialistët e paprekshëm të maskuar si 'progresivë' përpiqen të shkatërrojnë kombin tonë të madh," deklaron kandidati shqiptar për senator.  

“Unë do të luftoj për parimet kushtetuese që etërit tanë themelues kanë përcaktuar për ne. Unë do të luftoj për një qeveri më të vogël dhe më shumë liri. Kjo është mënyra e vetme që ne të jemi në gjendje të ringjallim ekonominë tonë, të rivendosim sigurinë publike në komunitetet tona, të ofrojmë arsim cilësor për fëmijët tanë dhe ta bëjmë jetën e amerikanëve më të mirë”, shprehet Aleksandër Mici.