Krimi horror në Fier, Sociologu Tushi: Tregues se xhungla sociale po bëhet tejet serioze, autoritetet kanë dështuar
Sociologu Gëzim Tushi është i tronditur nga krimi makabër i ndodhur dje në fshatin Grecalli të Fierit. Jo vetëm ai, thotë se e gjithë shoqëria është e tronditur dhe vrasja e Mateos 8 vjeç nga fqinji I tij është tregues se xhungla sociale në vendin tonë po bëhet gjithnjë e më serioze.
“Shoqëria shqiptare është mësuar me krimin e fatkeqësisht është bërë si buka e përditshme. Kemi dëgjuar për lloj lloj krimesh. Mënyra si është realizuar me gjak të ftohtë dhe marrja e jetës së një 8 vjeçari është maja në nomenklaturën e krimit shqiptar. Prandaj është tejet shqetësuese dhe njerëzit kanë të drejtë të jenë te revoltuar"
Në një intervistë për Ora News, Tushi tregon se vrasja e djeshme është tepër shqetësuese.
"Kemi të bëjmë me një situatë të vështirë. Rasti i 8 vjeçarit tregon se xhungla sociale po bëhet tejet serioze dhe më duket se autoritetet që kanë detyrim për të frenuar, disiplinuar dhe parandaluar krimin nuk funksionon dhe është një shqetësim shumë i madh për vendin tonë. Kemi të bëjmë me një kufi ku e ndan njerëzoren me çnjerëzoren dhe kjo është jashtë njerëzores"
Intervista për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi.