"Ka diçka që nuk shkon”, kreu i gjykatës së Shkodrës jep alarmin për përfshirjen e të miturve në krime
Institucionet e Drejtësisë në Shkodër ngrejnë alarmin se të miturit gjithmonë e më shumë po përfshihen në ngjarje kriminale deri tek vrasjet.
"Në këtë javë janë gjykuar tre çështje ku kanë qenë autorë të mitur apo të abuzuar. Kjo tregon se ka diçka që nuk shkon”.
Kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Çela, pranon se drejtësia po dështon me të miturit dhe efekt sipas tij ka dhënë edhe reforma.
“Jemi në një fazë të neglizhencës për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin. Ka shumë arsye. Problematika që vjen nga reforma në drejtësi.”
Por dështimi më i madh sipas kryegjyqtarit të Shkodrës është konsiderimi i çështjeve ku janë të përfshirë të miturit të mbyllur vetëm me vendim gjykate.
“Ne duhet të synojmë të merremi me psikikën me të miturit. Për ne çështje e mbyllur është ajo dosje që merr vendim të prerë por ne nuk jemi marrë me problematikën dhe në këtë rast kemi mbyllur një çështje por kemi lënë të hapur disa faktorë që sjellin ripërsëritjen e krimit. “
Edhe drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Shkodrës pranojnë rritjen e kriminalitetit mes të rinjve dhe përkeqësimin e situatës në terren.
Deklaratat u bënë gjatë tryezës vendore të bashkëpunimit ndërinstitucional për drejtësinë për të mitur.

