Salianji: E pyeta Braçen nëse është ai që ka dalë në përgjime, SPAK duhet t’i shkojë deri në fund

Në një intervistë për Ora News, deputeti Ervin Salianji u shpreh se në biseda të përgjuara krimi i organizuar në Itali dhe në Shqipëri, flasin se garancia ka qenë zv. Kryeministri dhe drejtori i hetimet të parave.

Salianji tha se ai e ka pyetur në Kuvend deputetin Erion Braçe nëse bëhej fjalë për të apo për zv. Kryeministrin aktual, duke çuar edhe në përplasjen e djeshme.

Salianji: Lajmi për përgjimet e zv. Kryeministrit ka dalë edhe në media, ku në biseda krimi i organizuar në Itali dhe në Shqipëri, flasin se garancia ka qenë zv. Kryeministri dhe drejtori i hetimet të parave. Pyetja ishte nëse ishte ai dhe në fund duhet te jetë SPAK që duhet t’i shkojë deri në fund kësaj historie për pastrim të parave të Ndragetës në vend. Aty duhet të ketë pasur diçka fakti që reagoi kështu. Unë e kam pyetur nëse ishte ai, sepse mund të jetë edhe zv. Kryeministri aktual.  Përgjimet janë të tetorit dhe disa kanë qenë në korrik dhe gjasat janë që mund të ketë qenë personi në fjalë.

Salianji theksoi se ka akuza se po bëhet teatër nga PD, nga deputetët edhe të kësaj partie që e kanë marrë mandatin qyl dhe kanë interesa të caktuara.

Salianji: Ka njerëz nga radhët tona që kanë vite në kuvend dhe nuk kanë bërë kurrë opozitë. Janë deputetë qyli dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi politike. Atyre që e marrin rrogën qyl dhe u duket si teatër debatet në kuvend. Ndërsa këta të vjedhin zgjedhjet dhe pastaj të heqin të drejtën e fjalës dhe kjo është absurde pastaj. Prandaj këta që flasin ose janë të paguar ose kanë ndonjë interesa tjetër. Këto janë teza qesharake, se thonë kur bën diçka është teatër, kur nuk bën thonë pse nuk po bëni.