Një tufë me lule në bankën bosh të Mateos, Bashkia Fier mban një minutë heshtje në 12, Lindita Nikolla kërkon reflektim
Kjo tufë me lule zëvendësoi Mateon e vogël në bankën e klasës ku sot duhet të ulej për të marrë dije.
Vogëlushi ishte në klasën e tretë, në shkollën 9-vjeçare "Thanas Ikonomi".
Ai do të përcillet sot në banesën e fundit pasi fqinji i tij Klodian Çalamani e vrau dhe e groposi një ditë më parë.
Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, duke kërkuar dënimin maksimal të autorit të ngjarjes makabre njftoi se në të gjitha institucionet e Bashkisë Fier, në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje.
"Duke dënuar ashpër krimin e kryer ndaj Mateos 8- vjeçar dhe duke apeluar për një hetim, gjykim dhe dënim të shpejtë të autorit të ngjarjes makabre, dita e sotme, 17 Nëntor 2021 do të jetë një ditë solidariteti me familjen e Mateos për Bashkinë e Fierit. Në të gjitha institucionet e Bashkisë Fier, në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje".
Ndërkohë kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka kërkuar reflektim duke u shprehur se pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish.
"Dje Shqipëria humbi një fëmijë, një engjëll të vogël tetëvjeçar. Krimi i tmerrshëm ndodhi në Fier. Pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Nëse ato do të ishin shmangur Mateo sot do të ishte në shkollë, me shokët dhe shoqet e tij. Krimineli ka dhunuar edhe më parë dhe për një krim të rëndë ka marrë një dënim përkëdhelës. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kjo që ndodhi dhe autori i këtij krimi barbar duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Shoqëria dhe komunitetet duhet gjithashtu të reflektojnë. Krimet ndodhin para syve edhe për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit tonë.E kam të vështirë të gjej një fjalë ngushëlluese për prindët dhe familjarët e Mateos. Asgjë nuk lehtëson dhimbjen e padurueshme të tyre.U prehsh në paqe, ëngjëll!"

