"Do të pyesim popullin..." Rama flet për ndërhyrje ligjore, krime të përsëritura dhe "gjykatës të korruptuar e degjeneruar"
Kryeministri Edi Rama paralajmëron ndërhyrje në legjislacion të cilat duket se kanë në shënjestër gjyqtarët.
Në konferencë për median marrë shkas dhe nga ngjarja horror në Fier ku 38 vjeçari rrëmbeu Mateon e vogël 8 vjeç e vrau dhe e groposi në oborr, Rama foli për një rishikim të legjislacionit për të cilën do të kërkohet dhe mendimi i qytetarëve.
Rama nuk dha shumë detaje mbi këto rishikime, por bëri të qartë se do bëhen publike rastet e kriminelëve që janë liruar dhe kanë kryer krime të përsëritura dhe bashkëautorë me ta janë "gjykatësit e korruptuar dhe degjeneruar"
Edi Rama: “Patjetër që mundësitë për të rishikuar legjislacionin janë gjithmonë por thelbi është rikthimi i trupave gjykues në nivel legjislacioni. Sfida nuk është të shkruajmë më shumë ligje por të zbatojmë më shumë ligje. Për të gjithë rastet përsëritëse e do e bëjmë publik së shpejti të cilat janë flagrante në aspektin e papërgjegjshmërisë deri në ekstreme të trupave gjykues. Në të njëjtën kohë jemi duke reflektuar për një ndërhyrje në legjislacion që nuk lidhet me rastin konkret. Apo nuk është rezultat i rastit konkret të cilin do ta përfshijmë në konsultimin përfundimtar që e kam lajmëruar.
Gjithashtu shtoi se do të hapet dhe një debat publik për ndryshime të rëndësishme.
“Do të pyesim popullin për një sërë çështjesh me rëndësi të veçantë për të marrë opinion të gjerë përtej partive duke synuar të hedhim disa hapa të guximshëm. Nuk mund tju them sot se jemi duke i formuluar pyetjet për qytetarët por në këtë aspekt synojmë të adresojmë përsëritjen.
Horrori ne Fier
Rama thotë se ka bërë verifikimin e dosjes së Klodian Çalamani, autori i rrëmbimit dhe vrasjes së Mateos së vogël. Autori nuk përfshihet në kriminelët përsëritës por e diskutueshme mbetet dënimi.
Edi Rama: “Në rastin konkret kam parë me vëmendje atë çka referuar policia e shtetit për dinamikën e ngjarjes dhe profilin e autorit. Nuk është rasti tipik i përsëritësve të liruar papërgjegjshmërisht. Shumë vite më parë autori është ndaluar për heqje të paligjshme të lirisë së një personi. Ka marrë një dënim dhe e ka kryer. Mbetet e diskutueshme nëse dënimi ka qenë i mjaftueshëm ose jo por e ka kryer dënimin. Është tragjike por këto janë ngjarje të cilat nuk janë evituar dhe nuk evitohen 100 % sido që ti shkruash ligjet dhe në lartësinë e ligjit të jenë trupat gjykues.
Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një individ që është dënuar 10 vite më parë, ka kryer dënimin, ka dalë dhe ka pasur punë të ndryshme gjatë gjithë këtyre viteve por nuk është identifikuar apo denoncuar si një problem që ju përmendët."
Boshllëqet e vetingut
Rama pranon se vetingu shkaktoi probleme në sistemin e drejtësisë pasi krijoi boshllëqe, por e quan të domosdoshëm për pastrimin dhe ngritjen e këtij sistemi mbi themele të pastra.
“Problemi kryesor që ne kemi përtej këtyre momenteve kaq ekstreme është raporti shumë I zhdrejtë mes rezultateve të operacioneve të policisë, numrit të autorëve të ndaluar dhe shoqëruar në polici për krime të natyrave të ndryshme, dhe për abuzime me personin, dhunë ndaj personit me numrin e të dënuarve nga gjykata.
Bashkëautorë në të gjitha krimet e përsëritura ose në shumicën dërrmuese të tyre janë gykatësit e korruptuar dhe degjeneruar. Janë dhe arsyeja përse procesi i vetingut dhe pastrimit masiv të dhumit është jetik dhe vazhdon.
Natyrisht që njerëzit janë në të drejtën e tyre të kërkojnë ndryshimin e sjelljes së eficencës së sistemit të drejtësisë menjëherë. Kur them kështu kam parasysh disa vite, por kjo nuk ndodh dot objektivisht sepse të ndërtosh një sistem drejtësie siç duam dhe meritojnë qytetarët nuk është thjesht miratimi i ligjit të ashpër as pastrimit të llumit por një çështje e plotësimit të boshllëkut të krijur nga largimi i llumit me individët e duhur dhe ngritjes së institucioneve që do të thotë ngritja e kësaj kolone shteti që ka qenë kalbësirë e gjallë në tre dekada dhe kjo nuk mund të ndodhë me shpejtësi. Patjetër që 4 – 5 vite në jetën e një njeriu janë shumë në jetën e një shteti janë 4 -5 minuta.
Në fund të konferencës kryeministri nënvizoi se pavarësisht problemeve sërish reforma në drejtësi nuk është dështim, por ka kosto.
“Kemi eksperiencën e të tjerëve jemi në proces integrimi në atë familje. Kemi partnerët e duhur me të gjithë eksperiencën e njohjen e duhur për ta bërë këtë punë duke përshpejtuar dhe kapërcyer ato hapësira të gjata kohore që të tjerët I kanë kaluar vetë.
Kush e konsideron reformën në drejtësi një dështim apo një proces të pasukseshëm nuk di çfarë flet. Është një proces që kërkon kohën e vet dhe ka një kosto siç janë kostot e ngjarjeve të rënda”
