Atentati tek "Astiri", zhvendoset "Audi" me 4 "identitete" i Mihasit. Veç gjurmëve të gjakut gjejnë edhe 7 gëzhoja
Katër ditë nga atentati mafioz ndaj 2 të rinjve Erigers Mihasi dhe Armand Dumani, policia ka përfunduar ekspertizën e makinës se viktimave. Sipas disa verifikimeve ky automjet për një periudhë të shkurtër kohore ka qarkulluar me katër targa të ndryshme.
Automjeti tip "Audi" e cila drejtohej nga Erigers Mihasi mbrëmjen e atentatit që i mori jetën të riut dhe shokut të tij Armand Dumani, brenda 5 muajsh ka ndërruar 4 targa.
Në këtë përfundim ka arritur policia pas ekspertizës së mjetit të dërguar tashmë në pikën e bllokuar si provë materiale.
Ky automjet në muajin korrik, ka pasur targat AB 024 DO, në muajin gusht ishin AB 555 DG, sërish në muajin gusht u ndryshuan në AB 924 EH dhe së fundmi në muajin shtator AB 008 EM.
Sipas burimeve policorë në këtë makinë përveç njollave të gjakut edhe disa predha i janë dërguar laboratorit kriminalistik për të përcaktuar llojin e armës si dhe për përfitimin e ndonjë gjurme të mundshme.
Ndërkohë përveç kontrolleve të banesave të disa personave me precedet penalë, policia ka nisur edhe verifikimin e kamerave te sigurisë përreth gjithë zonës së Astirit po ashtu edhe në segmentin rrugor Tiranë-Milot dhe zonave përreth.
Atentati ndodhi mbrëmjen e 13 nëntorit 2021.
Erigers Mihasi sinjalizime për atentatin
Erigers Mihasi 32-vjeçari, i cili mbeti i vrarë në atentatin e 13 nentorit 2021 në Astir së bashku me Armando Dumanin, duket se ia kishte frikën një ekzekutimi të mundshëm. Gjatë marrjes në pyetje një prej miqve e tij të afërm ka treguar se muajt e fundit ai ishte i kujdesshëm në çdo lëvizje që bënte dhe kishte marrë masa për t’u mbrojtur.
Miku i ngushtë i 32-vjeçarit ka treguar se ai shoqërohej me shumë pak persona dhe rrethi i miqve ishte tejet i ngushtë në muajt e fundit. Mësohet se ai kishte në pronësi edhe një tjetër automjet luksoz me të cilin ishte parë të lëvizte, një makinë tip “Hummer” .
Pavarësisht vigjilencës së shtuar, ditën e sulmit, Mihasi dhe as miku i tij Dumani nuk vërejtën lëvizje të dyshimta dhe ndjekjen e makinës “Toyota”.
