Vlefshmëria e 30 qershorit, Meta: S’kam vendim zyrtar nga Kushtetuesja, kam vetëm raportin e OSBE/ODIHR
Presidenti Meta në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, foli edhe për protestën e 2 marsit.
Meta tha se Shqipëria në të gjitha renditjet ndërkombëtare është shumë keq dhe se vendi po shpopullohet me ritme të shpejta.
Ndërsa lidhur me zgjedhjet vendore të 2019-tës, ai bën me dije se nuk ka asnjë vendim të zbardhur zyrtar, me vulë, pa vulë, me firmë nga Gjykata Kushtetuese apo ndonjë institucion tjetër për këtë çështje.
Ai shton se deri tani Presidenti i Republikës ka vetëm raportin e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje, që është institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar për vlerësimin e zgjedhjeve.
Pyetje: Dhe disa nga shqetësimet që ju keni ngritur, po i referohem protestës së 2 marsit, kanë qenë kundër pushtimit të Gjykatës Kushtetuese, të rivendosjes së rendit kushtetues. Keni folur për krizë legjitimiteti institucionesh. Ku jemi pas afro dy vitesh kur jemi në mandatin e tretë të Edi Ramës?
Presidenti Meta: Po ku jemi? Shikoni se ku është Shqipëria në të gjitha renditjet ndërkombëtare, në të gjithë treguesit! Shikoni ku është për investimet e huaja në rajon! Shikoni ku është për migrimin apo për largimin e qytetarëve! Në rastin tonë nuk mund të përdoret termi migrim, por termi më i përshtatshëm është shpopullim. E kam thënë njëqind herë: Ikën një serb për një mijë banorë, ikin 12 shqiptarë nga Shqipëria. Ikën 1 nga Kosova, ikin 4 nga Shqipëria, 1 nga Bosnja, 18 nga Shqipëria, 1 nga Mali i Zi, 17 nga Shqipëria. Ku jemi? Ja këtu jemi!
Pyetje: Zoti President, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë në lidhje me paligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-s. A do t’i shpallë Presidenti zgjedhjet? Nuk është bërë ende zbardhja e vendimit, por gjithsesi Presidenti i Republikës a do t’i shpallë zgjedhjet në ato bashki ku mungojnë kryetarët?
Presidenti Meta: Presidenti i Republikës është këtu për t’i shërbyer respektimit të Kushtetutës. Për çështjen që ju folët, Presidenti i Republikës nuk ka asnjë vendim të zbardhur zyrtar, me vulë, pa vulë, me firmë nga Gjykata Kushtetuese apo ndonjë institucion tjetër për këtë çështje! Deri tani Presidenti i Republikës ka vetëm raportin e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje. Institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar për vlerësimin e zgjedhjeve, por edhe për një çështje të tillë si kjo, madhore, siç është ajo e këtyre zgjedhjeve. Kaq ka Presidenti!
Se nuk mund të niset nga lajme gazetash, me lajme lart e poshtë. Do ta shikojë me shumë vëmendje, pa dyshim! Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm në një shtet të së drejtës, që është realisht shtet i së drejtës. Për këtë arsye Presidenti i Republikës ka bërë një luftë të jashtëzakonshme prej më shumë se katër vitesh. Jo vetëm si President, por edhe në vitin e fundit që isha Kryetar i Parlamentit, se shorti i parë u hodh në atë kohë, dhe që nisën debatet dhe bllokimet e qëllimshme të KED-së për ta lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese për vite të tëra dhe për ta bërë atë proces ashtu siç u bë.
Nuk po hy këtu. Ne do t’i presim me shumë vëmendje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do t’i studiojmë dhe do të bëjmë veprimet më të mira në interes të respektimit të Kushtetutës edhe të të drejtave të njeriut, sepse padyshim që ka Gjykatë Kushtetuese, por padyshim që nuk ka vetëm Gjykatë Kushtetuese. Ka edhe Gjykatë Evropiane që mbron të drejtat e njeriut dhe Shqipëria tani është pjesë e një sistemi të tillë.

