Ngjarje horror në Fier: Fëmija 8 vjeç i zhdukur gjendet i vdekur dhe i mbuluar me baltë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Greçalli të Fierit. Një fëmijë vetëm 8 vjeç u gjet i vdekur dhe i mbuluar me baltë në oborrin e banesës së fqinjit.

Mamaja e të voglit ishte shqetësuar kur kishte parë se djali i tij nuk po kthehej në banesë dhe rreth orës 15:30 ka bërë njoftim e policisë.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit Klodian Çalamani, 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.

Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.