Rrëmbehet dhe vritet 8-vjeçari në Fier, Hajdarmataj: S'mund ta bëjë vetëm policia parandalimin e ngjarjeve

Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme, 16 nëntor në fshatin Grecalli të Fierit. Ora News, mëson se një fëmijë në moshën 8-vjeç është rrëmbyer nga fqinji i tij i identifikuar si Klodian Çalamani.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit Arben Hajdarmataj u shpreh se nuk mund të jetë vetëm institucioni i policisë që mund të bëjë parandalimin e ngjarjeve kriminale, por një sërë institucionesh. Sipas tij, në vendin tonë këto institucione nuk punojnë.

Sipas tij jemi në një gjendje jo të mirë për sa i përket kriminalitetit. Hajdarmataj u shpreh skeptik për sa i përket kontrollit të territorit nga ana e policisë së shtetit, pasi sipas tij detyra kryesore e policisë së shtetit shqiptar është parandalimi i çdolloj aktiviteti kriminal.

"Ky është një krim makabër," tha Hajdarmataj.

Hajdarmataj: Nuk mund të jetë vetëm institucioni i policisë që mund të bëjë parandalimin, por duhet të jenë dhe institucionet e tjera, bashkia, ministria e Shëndetësisë dhe një sërë institucionesh të tjera që duhet të kujdesen. Fatkeqësisht se nuk i kemi këto institucione në punë dhe pastaj ajo që ndodh ja kalojmë gjithë barrën Policisë së Shtetit. Unë policisë gjithmonë ja vë fajin në aspektin e kontrollit të territorit, që duhet të ketë patjetër informacion se çfarë ndodh realisht në zonat përkatëse.

Hajdarmataj u shpreh se Shqipëria është pothuajse e kompletuar për sa i përket kuadrit ligjor.

Hajdarmataj: Të gjitha këto lloj krimesh në kuadrin ligjor janë të përcaktuara shumë qartë. Ne si shoqëri çalojmë në zbatimin praktik të ligjit. Nga ana proceduriale bëhet, në anën praktike nuk ke mundësi praktike që ta marrë këtë person, ta izolojë, ta lërë në një shtëpi më vete. Shteti nuk është vetëm policia. Unë nuk ja heq pjesën e fajit për parandalim, por për trajtimin e çështjes ngelet e pafuqishme sepse edhe Gjykata në shumicën e rasteve jep një vendim sa për të thënë vendim. Si i jep një dhunuesi urdhër-mbrojtje dhe e lë prap brenda një banese. Ç'është kjo Gjykatë që realisht e lë në të njëjtën banesë dhunuesin me të dhunuarin. Ti minimumi duhet ta çosh kilometra larg dhe ta kesh në mbikëqyrje. Ka një sërë institucionesh që duhet të punojnë për parandalimin. Trajtimi pas veprimeve të para të policisë lë shumë për të dëshiruar.

Për sa i përket rastit të Fierit, Hajdarmataj tha se nga ana e policisë çdo informacion i parë sado i pavlerë të duket duhet të verifikohet. Sipas uniformave blu i mituri është rrëmbyer nga fqinji i tij, Klodian Çalamani i cili pasi e ka rrëmbyer e ka mbajtur të mbyllur për disa orë dhe më pas dyshohet se e ka groposur.

8 vjeçari është raportuar i zhdukur nga nëna e tij ditën e sotme rreth orës 15:30 ku policia menjëherë filloi kërkimet, por fatkeqësisht pas disa orësh të miturin e gjetën të pajetë.

Intervisoti Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku