"Qeshin derrat e kënaqur", Basha me metafora në Kuvend pyet Ramën: Pse nuk e pranon Vettingun në politikë?

Kreu i opozitës, Lulzim Basha u shpreh se qytetarët shqiptarë i pret tmerri pas miratimit të letrës së paketimit të vjedhjes më të madhe, të borxhit më të madhe dhe të shpenzimeve më harbute të qeverisë.

Basha: Shiko si qeshin derrat e kënaqur, për të përdorur një tjetër metaforë, meqë jemi te metaforat. 338 milionë euro kush do t'i paguajë në arbitrazh? Se ky thoshte asnjë cent, por Becchetti ka filluar t'i marrë paratë. Informacione që mbeten për t'u verifikuar thonë që një faturë prej 125 milionë euro po afron për një tjetër media që ka fituar një arbitrazh kundër këtij dhe vartësve të tij duke treguar mesazhet e kërcënimit që i dërgoheshin pronarit të medies. Do konfirmohet apo jo do ta shohim.

113 milionë euro të tjera prapë për klubin e oligarkëve dhe 55 milionë euro shtesë për Nusretin. Këto janë faktet e buxhetit. Do të mjaftonte 1/3 e këtyre shifrave që të plotësohej amendamenti i PD për të ulur tatimin mbli vlerën e shtuar mbi mallrat e shportës ushqimore. Një ulje prej 14% e cila nëse do të funksiononte një shtet në shërbim të qytetarëve do të sillte uljen e çmimeve që rriten përditë. Do të mjaftonte të shkurtoheshin shpenzimet e oligarkëve dhe shpenzimet e luksit të Nusretit 51 milion euro.

Basha u ndal dhe te vettingu në politikë. Ai e pyeti sërish kryeministrin se për çfarë arsye nuk e pranon vettingun dhe u shpreh se nëse e voton procesi mund të fillojë pikërisht nga ai, Lulzim Basha.

Basha: Pse nuk e pranon vettingun e politikanëve? Është rruga e vetme për të ndarë fjalët, dërdëllimat, propagandën pas së cilës fshihet hajdutëria dhe shoqëria me kriminelët nga veprat.

Votoje vettingun në politikë, çliroji një pjesë të madhe të atyre që janë këtu, shkëputu një herë nga oligarkët dhe ligjet me porosi të tyre që sjell në Kuvend, që ta bësh këtë duhet t'i bindesh një gjykimi të vërtetë të cilin të ftoj ta votosh madje për herë të parë dhe të fundit kontrolli të nisë nga kryetari i opozitës. Vetëm atëherë mund të dalësh para shqiptarëve dhe të thuash se ato që po thua janë të vërteta dhe ato që po bën janë gënjeshtra.