Atentati i dyfishtë në Astir, reagon PD: Krimi është trimëruar, qeveria nuk e lufton se e ka ortak
Lidhur me atentatin me dy të vdekur në Astir, ka reaguar edhe Partia Demokratike përmes deputetit Ervin Salianji.
Salianji shkruan në Facebook se është bërë thuajse e përditshme situata e pasigurt në vend, ku qytetarët ndeshen me breshëri të plumbave në orare ku zonat janë tepër të populluara.
Salinaji shton se qeveria nuk ka fuqi e dëshirë të përballet me krimin, duke aluduar se ata janë ortakë me të dhe nuk kanë dëshirë ta luftojnë.
Salinaji: Sot thuajse si përditshëm kërciti automatiku në orën me më shumë lëvizje, breshëritë e plumbave po zbrazen kudo, në mes të qyteteve, në zonat më të populluara dhe pa kursyer askënd dhe pa ju dridhur dora para askujt! Krimi është trimëruar dhe po bën kërdinë me eliminime të tipit mafioz, vrasje, grabitje, drogë, dhunë, vjedhje… Për fat të keq siç e kemi paralajmëruar krimi pjell krim, përdorimi i bandave në zgjedhje praktikisht është dorëzimi i territorit dhe sovranitetit ne duart e tyre! Qeveria as nuk ka fuqi as nuk ka dëshirë të përballet me krimin, ata janë ortakë, ata duhen zhdukur njësoj si e keqe e madhe për çdo familje, për çdo qytetar!
Ora News përcolli live të gjitha zhvillimet e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Tiranën mbrëmjen e sotme.
Raportuan në terren: Edison Vatnikaj, Keti Banushi, Nertila Dosti.

