Shkoza pa rrugë kalimi, banorët në protestë: Bashkia e Tiranës ka tjetërsuar projektin për “Sistemimin e Lanës”

Banorët e Shkozës organizuan këtë të shtunë një protestë pasi Bashkia Tiranë sipas tyre ka tjetërsuar projektin për “Sistemimin e Lanës”, duke i lënë banorët pa rrugë kalimi për të shkuar në shtëpitë e tyre. Ata kërcënuan se çështjen do ta çojnë deri në SPAK.

Mungesa e infrastrukturës rrugore ka bërë që banorët e Shkozës të organizojnë këtë të shtunë një protestë. Kërkesa e tyre është minimaliste .Duan rrugë për të shkuar në shtëpitë e tyre.

Projekti i rishikuar për “Sistemimin e Lanës”, Faza 1 nuk parashikon rrugë Kalimi për banorët që jetojnë aty.

Në këto kushte banorët shprehen se ndihen të izoluar, pasi mungojnë rrugët.

"Këtu kemi një shtëpi, kemi hedhur gjithë partë dhe kursimet tona dhe nuk kemi rrugë."

"Nuk kemi ku të kalojmë, të dalim me makina. Duhet ta marrim makinën në shpinë ta nxjerrim në rrugë të madhe."

"T'i asfaltojnë dhe të bëjnë një park për kalamajtë se janë 100 e ca kalamaj."

"Ne jemi 200 familje, janë 110 fëmijë ët vegjël që luajnë në këto kushte në pluhur dhe pa asnjë element që quhet element qytetarie."

Problemin ia kanë adresuar dhe bashkisë, por zgjidhje nuk kanë pasur, pavarësisht premtimeve të shumta elektorale.

"Që ne të urbanizohemi dhe të marrim asfalt si çdo banor i Tiranës, premtimi i deputetit do ketë qenë që më jepni votat mua se unë e anuloj projektin."

Akuzave për tjetërsimin e projektit do t’i shkojnë deri në fund, madje duke e dërguar çështjen në SPAK.

"Këtë çështje ne do ta çojmë në SPAK sepse këtu është korrupsion i gjallë. Le ta gjejë shteti, ta gjejnë organet e shtetit se si është e vërteta."

Ata shprehen se janë taksapagues të rregullt dhe kërkojnë që paratë e tyre t’u kthehen pas me shërbime dhe investime publike.