Rama: Ballkani i Hapur për këdo, nuk kemi paqe në rajon, por rruga është ajo që bëri Franca e Gjermania
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë ditën e sotme një intervistë me median franceze “Francë 24”.
Rama në intervistë u shpreh se në nismën "Ballkani i Hapur" dera është e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit pa parakushte.
Sipas Ramës, nuk ka paqe përfundimtare në Ballkan, sepse ka ende problem për t'u zgjidhur dhe veçanërisht problemi mes Serbisë dhe Kosovës që është një shtet i pavarur, duke theksuar se rruga është ajo që bëri Franca dhe Gjermania.
Gazetarja: Ballkani ishte për një kohë të gjatë fuçi baruti, ai ishte vendi ku ka pasur një luftë të përgjakshme pikërisht mes anëtarëve të ish-Jugosllavisë. Ju realisht keni bërë thirrje për një Ballkan të hapur, një mini-shengen për të lehtësuar lëvizjen e mallrave midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, heqjen e kufijve prej vitit 2023. Por tre vendet e tjera të Ballkanit nuk mund të bashkohen për shkak të këtyre tensioneve etnike mes myslimanëve dhe të krishterëve.
Rama: Së pari, në nismën "Ballkani i Hapur" dera është e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit pa parakushte, por ideja është të mos mbetemi viktimë e vetos së dikujt, një apo një tjetri, që nuk duan atë apo atë. Ne duam të bëjmë diçka të rëndësishme për njerëzit, për rajonin. A është një proces i vështirë? Po, është shumë i vështirë. Nuk është i lehtë, sepse në të njëjtën kohë është një proces paqeje.
Ne ende nuk kemi paqe përfundimtare në Ballkan, sepse ka ende problem për t'u zgjidhur dhe veçanërisht problemi mes Serbisë dhe Kosovës që është një shtet i pavarur, sovran dhe që duhet të njihet nga Serbia. Por në të njëjtën kohë ka mësime për t'u nxjerrë nga historia. Le të citojmë, meqë po flasim frëngjisht, Francën, që na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Ajo që bëri Franca me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore është rruga.

