Nuk iu bind urdhrit të policisë/ Makina doli nga rruga dhe u plagosën 5 persona, në pranga 20-vjeçari nga Tirana
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 20-vjeçar nga Tirana.
Blutë bëjnë me dije se arrestimi i shtetasit A. K., u bë pasi në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastë pasi 20-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar të shërbimeve të policisë, të cilët po ushtronin kontroll në automjete, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe si rezultat i shpejtësisë së mjetit, në vendin e quajtur "Uji i ftohtë", Tepelenë, mjeti ka dalë nga rruga.
Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i mjetit, pasagjerja, shtetasja E. B., banuese në Tiranë dhe 3 emigrantë të paligjshëm, të cilët janë transportuar për në Spitalin Rajonal Gjirokastër, pa probleme për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.
Materialet në ngarkim të shtetasit A. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit", "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë".
