Rama: Integrimi i Shqipërisë dëm kolateral i konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë ditën e sotme një intervistë me median franceze “Francë 24”.

Rama në intervistë u shpreh se në raport me integrimin Shqipëria është si një dëm kolateral i një situate konfliktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi ka marrë dritën jeshile nga komisioni Evropian.

Sipas Ramës, Franca kishte një qëndrim më pak entuziast, i cili nuk lidhej me Shqipërinë apo me kriminalitetin, korrupsionin e vendit tonë, por është qëndrim që lidhej me vizionin e presidentit francez.

Gazetarja:A e akuzoni Bullgarinë në mes të një krize politike se ka bllokuar përfundimisht gjithçka?

Edi Rama: Po, jemi në një situatë mjaft absurde, për t'ju thënë të vërtetën, sepse për momentin Shqipëria është si një dëm kolateral i një situate konfliktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi ka marrë dritën jeshile jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga Këshilli Evropian, Bullgaria ka nxjerrë nga xhepi kërkesat me karakter historik dhe identitar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe procesi mbetet i bllokuar, sepse siç e dini, Këshilli Evropian bllokohet lehtësisht vetëm me një veto të njërit prej anëtarëve të tij.

Gazetarja: Parisi është gjithmonë në favor të avancimit të dosjes suaj, por Franca e ka bllokuar për një kohë të gjatë për shkak të kriminalitetit, korrupsionit që minoi vendin tuaj, ndërsa sot ju që keni mbështetjen e vendeve të mëdha evropiane, a mund të shpresoni për një dritë jeshile të Këshillit Evropian në dhjetor?

Rama: Që prej disa vitesh, Franca kishte një qëndrim më pak entuziast, i cili nuk lidhej me Shqipërinë, apo me problemet e Shqipërisë, por ishte një qëndrim që lidhej me vizionin e presidentit francez, një qëndrim shumë i qartë i shprehur prej tij për nevojën për thellimin e reformave në Evropë në mënyrë që të ecej më shpejt me zgjerimin.

Dhe vizioni i tij u shty përmes një metode të re integrimi, e cila pasi kishte miratimin e të gjithë të tjerëve, dhe ja pra. As presidenca franceze nesër dhe as Franca, Gjermania dhe të tjerët sot nuk kanë forcë ta lëvizin Bullgarinë, nëse vetë Bullgaria nuk pranon të lëvizë nga pozicioni i saj, i cili është një pozicion mjaft i ndërlikuar për t'u shprehur, për t'u shpjeguar këtu, por që e bën procesin edhe më të ndërlikuar duke vendosur mes nesh dhe Bashkimit Evropian një çështje që është qartësisht dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.