Video/ Gjermania e Kroacia shkaktojnë “tërmet”. Fiton Spanja, ndalet Portugalia
Edhe pse është kualifikuar për në Botëror, Gjermania nuk tregoi mëshirë në shtëpi përballë modestëve të Liechtenstein. Ndeshja e cila u arbitrua për herë të parë nga arbitrja kroate, Ivana Martinçiç përfundoi me rezultatin e thellë 9-0 dhe nuk mbeti lojtarë pa shënuar. Rumania në këtë grup nuk fitoi me Islandën duke i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut kalimit në playoff pasi sfida me nordikët u mbyll pa gola.
Portugalia e Ronaldos ndërlikon gjithçka në këto eliminatore teksa barazoi pa gola në Irlandë çka e bën dramatik kualifikimin pasi ndeshjen e fundit do ta ketë finale përballë Serbisë në grupin A.
Në Grupin H, Kroacia fitoi thellësisht 7-1 në Maltë dhe sërish do të jetë një finale edhe në këtë grup çështja e kualifikimit pasi në ndeshjen e fundit do të presë Rusinë në Zagreb.
Në sfidën tjetër të këtij grupi Slovakia barazoi 2-2 me Sloveninë.
Ndërkohë Spanja merr kryesimin në Grupin B duke lënë pas Suedinë dhe tashmë I nevojitet vetëm një pike në ndeshjene fundit, pikërisht ndaj Suedisë për të shkuar direkt në Botëror. Skuadra e Enriques mundi 1-0 Greqinë në fushën e këtyre të fundit, dhe kaq u mjaftoi për të kaluar të parët dhe për t’iu afruar kalimit direkt në Katar./Ora News/.