Harry Kane paralajmëron Anglinë: Kujdes Shqipërinë, luajnë me pasion

Nëse mendoni se Anglia e ka marrë lehtë sfidën me Shqipërinë gaboni. Kapiteni Harry Kane ka dy sfida më vete në këtë përballje, të rikthehet te goli pasi I mungon prej kohësh dhe të fitojë duke larguar presionin nga Polonia që është vetëm 3 pikë larg.

Në konferencën për shtyp, kapiteni i “Tre Luanëve” foli për dy sfidat e fundit që sipas tij duhen fituar me çdo kusht ndërsa tha fjalë të mira edhe për kombëtaren kuqezi.

“Me Shqipërinë është një ndeshje që duhet ta fitojmë. Duhet 4 pikë që të kualifikohemi, dhe një fitore ndaj tyre do të na afronte më shumë te kualifikimi. Do të jetë ndeshje e vështirë,  Shqipëria ka ende shanse për tu kualifikuar, dhe e dimë që do të vijnë me energji dhe pasion. Duhet të sigurohemi që të bëjmë lojën tonë, kemi shumë cilësi për të fituar ndeshjen, dhe një fitore do të na çonte më të qetë në sfidën me San Marinon, por e dimë që do të jetë e vështire dhe jemi gati për sfidën. Rivalët? E dimë që Shqipëria ka strukturë të mirë dhe mbrojtje mjaft të mirë. Nga pika ime e shikimit dimë si t’ia dalim, do të jetë e vështirë, një betejë e vështirë ndaj mbrojtësve cilësorë, por besojmë të aftësitë tona, te grupi jonë dhe do të shkojmë për të fituar ndeshjen, duke shpresuar të shënojmë gola”, u shpreh kapiteni i Anglisë.

Ndërkohë që ai foli edhe për zërat e merkatos rreth tij duke pranuar se ka patur shumë spekulime dhe se ka pranuar shumë gjëra por tani deklaroi se është I fokusuar për ndeshjet me kombëtaren në këto dy sfida delikate./Ora News/.