Video/ Suedia bën “autogol” drejt Botërorit, tripleta e një shqiptari i jep fitoren Maqedonisë

Rikthimi i Ibrahimoviç te Suedia jo vetëm që nuk ishte me fat por komplikon edhe kualifikimin e nordikëve. Këta të fundit kishin gjithçka në dorë për të qenë të parët në Grupin B por sot morën një goditje të rëndë kur u mundën 2-0 në transfertën me Gjeorgjinë. Një dopietë e Kvaratskhelia në pjesën e dytë shtangu Ibrahimoviç me shokë dhe tashmë Spanjës i hapet rruga drejt kualifikimit direkt.

Në Grupin J, Maqedonia e Veriut shkëlqeu me fitoren 5-0 në fushën e Armenisë duke ëndërruar ende për një vend në Botëror. Ishte mbrëmja e Enis Bardhit që me një tripletë ishte lideri plus dhe kapiteni i ekipit ballkanas. Me Gjermaninë e kualifikuar direkt, tani lufta është për vendin e dytë dhe Maqedonia ka një shans të artë.

Në Grupin H, Rusia bën një hap para drejt kualifikimit direkt pasi shpartalloi 6-0 Qipron në shtëpi dhe nëse Kroacia nuk fiton sonte, ekipi rus siguron biletën për në Katar./Ora News/.