Shehu: Shumica e fermerëve janë për mbijetesë, me naftën pa akcizë përfitojnë shpërndarësit e tollonave jo fermeri

Në studion e Ora News me gazetaren Sonila Musai u diskutua për buxhetin e 2022. Ku shkojnë paratë e shqiptarëve dhe shpërndarja qe ka bërë  qeveria për vitin e ardhshëm.  Kush përfiton më shumë dhe sa para kthehen në investime publike.

Ish zv/ministri i Financave Sherefedin Shehu duke u ndalur tek bujqësia tha se shumica e fermerëve janë për mbijetesë dhe qeveria të aplikojë mekanizma fiskalë për ti mbështetur.

Sherefedin Shehu: Në bujqësi shumica e fermerëve janë fermerë për mbijetesë që do të thotë dalin rastësisht në treg dhe shesin tepricat e tyre dhe nuk janë operatorë të rëndësishëm të tregut ndërsa pjesa tjetër që shet me fatura në pika grumbullimi patjetër që nga kjo masë do të humbasë përfitimet dhe natyrisht për ti marrë indirekt përfitimet do të shtohet pjesa informale.

Por në këtë këndvështrim do të thoja që kemi dhe një politikë tjetër që quhet nafta pa akcizë që teorikisht përfitojnë fermërët por praktikisht përfitojnë shpërndarësit e tollonave sepse fermerët në normën e lartë të informalitetit jo për faj të tyre por për faktin se ato janë fermerë për mbijetesë natyrisht që nuk kanë mundësi që të përfitojnë nga këto lloj politikash.

Kështu që nëse duam që të mbrojmë fermerët duhet që të aplikojmë mekanizma fiskalë si ky që ishte dhe ato duhet që të jenë në një regjim fiskal unik kombëtar por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që paaftësitë financiare dhe nevojën për mbështetjen e fermerëve dhe të japim para direkt tek fermerët.

Kjo është politika që mund të garantojë mbështetje apo zhvillim të bujqësisë në Shqipëri.