"Mashtrim Pervers", Bardhi i përgjigjet Kryemadhit: Deklaratë e pakuptimtë e kryetares së LSI!
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ka kthyer përgjigje kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi për çështjen e koalicioneve për zgjedhjet e 25 Prillit. Bardhi tha mbrëmë se PD i ofroi 15 mandate të sigurta LSI-së, por kjo e fundit tha se 34 i siguronin e vetme duke mos pranuar që të futeshin në zgjedhje me një listë të vetme. Monika Kryemadhi e cilësoi Bardhin mashtrues pervers. Bardhi e cilësoi pa kuptim deklaratën e Kryemadhit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar tallje me demokratët qëndrimin e dhënë nga Edi Paloka sa i përket 4200 firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Madje edhe një herë ai thekson se nuk do të lejojë kyçjen në kasafortë të anëtarëve të PD-së.
Por para mediave ai foli edhe për bisedimet me LSI-së për zgjedhjet e 25 prillit ku theksoi se Monika Kryemadhi pretendonte të arrinte 40 mandate.
Bardhi: Kryesia nuk është mbledhur sepse nuk ka pasur një dakordësi nga kryetarja e LSI për të pasur mundësi që t'i propozoheshe kryesisë hyrja me një listë të përbashkët. Qëndrimi i LSI ka qenë se do duhet të dilnim me dy lista të veçanta. Qëndrimi krejt normal sipas vlerësimit të tyre ishte se do të maksimalizonin votat me dy lista. Tha se me ndryshimet e njëanshme të Kodit përfitonte LSI-së sepse nga 19 mandate në 2017 do të merrte më shumë se 40 mandate nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese që bëri Edi Rama. Në fakt ato ndryshime të njëanshme të Ramës ishin një dhunim flagrant. Ka një deklaratë të pakuptimtë të kryetares së LSI-së.
Bardhi shtoi se arsyeja e vetme pse LSI nuk arriti dot të merrte asnjë mandat në Elbasan është sepse nuk bëri fushatë.
Por për drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, këto qëndrime janë për të shpëtuar nga debati i brendshëm në selinë blu.
Braimllari: Nuk është diskutuar as mes strukturave. Kjo është një marrëveshje për interesat personale të Lulzim Bashës dhe kunatit të tij.
Nga zgjedhjet e 25 prillit, LSI arriti të merrte 4 mandate, ndërsa PD shkoi në 59 deputetë.
