“Nuk ka palë në PD”, Bardhi: Kush e synon, i shërben Ramës. Hallet personale t’i mbajnë në shtëpitë e tyre!

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka dalë sot sërish para medieve për të folur për situatën në PD dhe kërkesën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. 

Bardhi u shpreh se nuk ka palë në PD dhe kush mendon të krijojë palë i shërben regjimit të Edi Ramës duke kërkuar që hallet personale t’i mbajnë në shtëpitë e tyre.

Bardhi: Partia Demokratike është një, është e demokratëve është pronë e demokratëve dhe cilido që për një hall personal synon të përçajë PD-në , synon të krijojë palë në PD nuk i bën shërbim demokratëve i bën shërbim regjimit të Ramës. Cilido që i thotë vetes demokrat ka një interes të përbashkët, rrëzimin një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës.  Ky duhet të jetë fokusi jonë. Hallet dhe problemet personale t'i mbajë secili në shtëpinë e tij, jo në shtëpinë e demokratëve. Kjo është shtëpia e demokratëve nuk është e askujt tjetër.

Ai u shpreh se nuk ka një kërkesë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

Bardhi: Rregullat janë të qarta, kërkesat duhet të përcillet në protokoll dhe padyshim që do dëgjohet zëri i çdo demokrati, qoftë ky i pakicës së pakicës.

Më tej Bardhi shtoi se kasafortë mund të ketë kushdo për çështje personale, por partia nuk është kasafortë, as bunker.

Bardhi: PD është krenari e Shqipërisë. Nëse dikush ka vendosur të veprojë si strukturë ilegale është i lirë ta bëjë, pro këtë nuk mund ta bëjë në emër të demokratëve.

Bardhi theksoi se kushdo është i lirë të veprojë në mënyrë ilegale, por jo në emër të Partisë Demokratike.