Lëshonte certifikata vaksinimi kundrejt pagesës pa kryer vaksinimin, pezullohet mjekja në Lushnje. Kërkohet edhe heqje e licencës
Ministria e Shëndetësisë ka shkarkuar nga detyra mjeken me iniciale E. N. të qendrës shëndetësore në fshatin Gradisht të Lushnjes. Rasti i mjekes, e cila lëshonte certifikata të vaksinimit Covid kundrejt pagesës pa kryer vaksinimin e qytetarit u denoncua nga emisioni "Fiks Fare."
Ministria e Shëndetësisë bën me dije po ashtu se ka kërkuar edhe heqjen e licencës së mjekes, duke e konsideruar veprimin e saj kriminal.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë ngjarjen e rëndë të denoncuar nga emisioni “Fiks Fare”, të lëshimit të çertifikatës së vaksinimit kundrejt pagesës, pa kryer vaksinimin e qytetarit, nga mjekja e qendrës shëndetësore të fshatit Gradisht të Lushnjes. Sa më sipër, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masën e menjëhershme të shkarkimit nga detyra të mjekes me inicialet E. N. Duke e konsideruar këtë akt, një veprim kriminal, shkelje të rëndë në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit publik të popullatës në situatën e pandemisë, Ministria e Shëndetësisë do t’i kërkojë Urdhrit të Mjekut, heqjen e licensës së ushtrimit të profesionit për mjeken në fjalë," thuhet në njoftim.
Gjithashtu, ministria e Shëndetësisë ka marrë edhe masën e lirimit nga detyra të drejtorit të qendrës shëndetësore Gradisht, me inicialet A.Gj.
