Aksident i rëndë në Durrës/ "Benzi" përplaset me plepin, ndërron jetë 23-vjeçari, në gjende të rëndë drejtuesi
Një viktimë dhe të paktën 6 të plagosur ishte bilanci i katër aksidenteve të rënda të shënuara këtë të mërkurë. Shpejtësia dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor ishin shkaku që përgjakën rrugët.
Një 23-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Plepa-Romanat.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure.
Mjeti tip "Benz" me drejtues 23-vjeçarin Ermal Kadriu, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një plep buzë rrugës.
Goditja ka qenë e fortë dhe ka rezultuar fatale.
23-vjeçari që udhëtonte si pasagjer humbi jetën në aksident, ndërsa drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur rëndë.
Një aksident i rëndë me pasojë tre të plagosur u shënua në aksin Dimal-Lushnje ku një makinë që doli me shpejtësi nga një rrugë dytësore u përplas me një automjet të policisë.
Të plagosurit udhëtonin në mjetin tip "Benz" dhe sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Këto pamje ndërkohë vijnë nga Vlora. Një këmbësor u përplas nga një makinë në rrugën Transballkanike.
Dyshimet janë se shoferi ishte në gjendje të dehur dhe është shoqëruar në polici për sqarimin e rrethanave.
Pak minuta më vonë, dy gra mbetën të plagosura pasi dy makina u përplasën në aksin Elbasan-Peqin.
Vetëm fundjavën e kaluar, 4 personma humbën jetën dhe të paktën 11 persona mbetën të plagosur.
Shpejtësia tej normave të lejuara, parakalimi i gabuar dhe humbja e kontrollit të mjeteve janë shkaqet kryesore të aksidenteve në rrugët e Shqipërisë, krahas problematikave që kanë disa rrugë dhe mungesës së sinjalistikës.
Policia po përdor një makinë inteligjente për ndëshkimin e shkelësve, e cila sipas raporteve kap mesatarish 500 persona në ditë në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugore.
