"Tymi ka pushtuar qytetin, thertorja sheshxhirim për filma horror", deputeti Çelaj jep alarmin për Tropojën: Shëndeti i qytetarëve në rrezik
Tym mbetjesh edhe nga Tropoja. Deputeti demokrat i kësaj zone, Isuf Çelaj, denoncoi nga foltorja e Kuvendit se qyteti dhe zonat përreth janë përfshirë nga një katastrofë mjedisore pasi si duket edhe atje Bashkia gjen rrugën më të shkurtër për mbetjet urbane, u vë zjarrin.
Duke deklaruar se një situatë e tillë po rrezikon shëndetin e qytetarëve, natyrën dhe vetë turizimin, ai kërkoi masa të menjëhershme nga qeveria pasi siç tha ai Bashkia nuk ka fonde.
Çelaj po ashtu ngriti edhe një tjetër shqetësim të kësaj zone, gjendjen e degraduar të thertores që sipas tij është e denjë për realizimin e filmave horror.
Çelaj: Jam para jush të ngre shqetësimin e banorëve të Tropojës për dy problematika shumë të mprehta. Tropoja prej kohësh është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qytetarët e mbarë Shqipërisë dhe turistë nga të katër anët e botës. Kjo për shkak të natyrës dhe cilësisë së jetës falë kësaj natyre. Ka dy vite që këto dy dhurata të Zotit janë goditur rëndë duke e kthyer këtë mrekulli natyrore në një zonë të ndotur dhe të rrezikshme për shëndetin e banorëve dhe turistëve.
Kam pasur shuë ankesa nga banorët e Tropojës sepse pushteti i papërgjegjshëm lokal po e shkatërron këtë natyrë duke djegur mbetjet urbane. Kjo ka sjellë katastrofë natyrore, reja e tymit të plehrave është bërë pjesë e pandarë e Tropojës duke e shndërruar qytetin e Bajram Currit dhe zonat përreth, përfshirë ato turistike, në një zonë të kuqe sa i takon nivelit të ndotjes. Banorët thonë se jeta është bërë e vështirë pasi tymi ndotës është kthyer në rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Situata është bërë e padurueshme këto dy muaj e fundit sepse bashkia e pavotuar e Rilindjes me drejtuesit e papërgjegjshëm në vend që tu japë zgjidhje banorëve për mbetjet kanë zgjedhur katastrofën. Djegin vendgrumbullimin e mbetjeve pa menduar aspak për ndotjen e natyrës së mrekullueshme të Tropojës dhe as shëndetin e banorëve të Tropojës. Është e trishtueshme të shohësh si kjo perlë e natyrës të shndërrohet në burim sëmundjesh e ndotje që do të jenë të pariparueshme në vite. Kjo situatë e rëndë do dëmtojë shumë faunën dhe mjedisin e kësaj zone dhe turizmi do marrë goditje të paimagjinueshme. Nga kjo foltore i them kësaj qeverie të kthejë sytë nga Tropoja, të merren masa urgjente për trajtimin e nbetjeve duke ndaluar në mënyrë urgjente katastrofën mjedisore që po ndodh. Është koha ti japim fund tymit të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së pushtetit të vjedhur në Tropojë.
Si të mos njaftonte kjo një tjetër katastrofë shëndetësore rrezikon çdo ditë shëndetin e tropojanëve. Gjithë bashkia e Tropojës nuk ka një thertore funksionale. Në fakt është një ndërtesë që quhet thertore por është një vend ku vetëm mund të xhirohen filma horror, ndërtesa është jashtë stadardeve dhe është e tmerrshme higjiena. Më keq se një stallë e koperativave ku pritet mishi dhe më pas u ofrohet qytetarëve në dyqane. Fermerët janë të detyruar ti therrin aty bagëtitë sepse ndryshe penalizohen me gjoba të majme. Ku janë institucionet e shëndetit, Ministrja që do hapë Akademi për barinjtë por nuk ka asnjë kusht për shitjen e mishit dhe nënprodukteve të tij.
Tropoja dhe tropojanët nuk e meritojnë këtë trajtim kafshëror.Krejt e kundërt është situata vetëm 20 minuta larg në komunën e Gjakovës, si nata me ditën. Tropoja nuk mund të jetë viktimë e urrejtjes politike të pushtetit të vjedhur ndaj ktheni vëmendjen nga Tropoja kryeministër. Mbështetini këto dy projekte me financim sepse bashkia nuk ka fonde për ti realizuar. Po rrezikohet seriozisht jeta e qytetarëve.