Kaosi me betonieret në Tiranë, drejtori i ri Rrugores: Kërkoj bashkëpunimin e Bashkisë, do zbatohet ligji
Kaosi me betonieret në kryeqytet që lëvizin në çdo orar të mundshëm, ka bërë që drejtori i ri i policisë Rrugore Altin Qato t’i drejtohet zyrës së Erion Veliajt për të kërkuar bashkëpunim për të ndaluar këtë situatë. Për Ora News, Qato tha se do të zbatohet ligji në lidhje me qarkullimin e betoniereve.
Që në orët e para të mëngjesit, deri në orët e vona të mbrëmjes në rrugët e kryeqytetit betonieret janë kthyer në shkak për trafikun por dhe rrezik aksidentesh.
Në qendër a në periferi, të gjitha rrugët e Tiranës bllokohen nga këto makineri të rënda të angazhuar në ndërtimin e pallateve për të cilat janë dhënë leje pafund
Nisur nga shqetësimi i krijuar tek qytetarët, pak ditë pasi ka marrë detyrën, drejtori i ri i Policisë Rrugore i ka shkuar në zyrë Erion Veliajt ndoshta për t’i tërhequr vëmendjen për katrahurën në kryeqytet.
Altin Qato për Ora News, pranoi faktin se ka diskutuar për këtë çështje me kryetarin e Tiranës i cili nuk flet kurrë për kaosin që ka shkaktuar në qytet, madje nuk del kurrë as në konferencë për gazetarët.
- A do e ndaloni qarkullimin e betoniereve?
- Do te flasim gjate për këtë, prandaj kemi ardhur, që të bashkëpunojmë me bashkinë.
I pyetur nga Ora News se kur do të nisë zbatimi i ligjit i cili është në fuqi prej vitesh, dhe që ai është shkelur çdo ditë nga Erion Veliaj dhe paraardhësit e Qatos në këtë detyrë, drejtori i ri i Rrugores tha se ligji është zbatuar gjithmonë, edhe pse pamjet dhe situata në rrugët e Tiranës e dëshmojnë të kundërtën.
- Kjo është një çështje që po shqetëson qytetaret, a do e zbatoni ligjin?
- Po.
- Kur?
- Ne çdo kohe. Ligji gjithmonë zbatohet.
Në Tiranë betonieret dhe kamionët e tonazhit të rëndë nuk lejohen të qarkullojnë në qytet nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes me përjashtim të rasteve kur angazhohen në punë publike.
