Tiranë: Ishte zhdukur prej 20 tetorit, gjendet i vrarë biznesmeni Ruzhdi Hoxha, arrestohet miku i tij
Zbulohet në Malin me Gropa pas Dajtit, trupi i pajetë i biznesmenit Rruzhdi Hoxha i zhdukur para 17 ditësh. Viktima me një plumb në kokë, u zbulua nga qentë gjurmues të policisë dhe ndjekja e lëvizjeve të Fredi Rrushit, mikut te biznesmenit të vrarë, i arrestuar për trafik droge. Kjo është një nga pistat e hetimit për ekzekutimin.
Pa u mbushur 24 orë nga publikimi në media i lajmit për zhdukjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha nga Paskuqani, policia zbuloi në Malin me Gropa trupin e pajetë të tij.
Ai u zbulua nga qentë gjurmues në një greminë të Qafë Mollës, pas malit të Dajtit i mbuluar me zhavorr e gurë.
Viktima rezulton të jetë qëlluar me një plumb në kokë. Trupi u dërgua në morg për ekspertizë ligjore për të përcaktuar shkakun.
Për të mbërritur në këtë zbulim, policia kishte gjurmuar lëvizjet e Fredi Rrushit, mikut të biznesmenit Hoxha.
Ai është arrestuar me 26 tetor si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafik droge.
Fillimisht efektivët e policisë arritën të gjejnë një ditë më parë në zonën e Dajtit xhupin e viktimës më pas ndërmorën operacionin e kërkimit masiv, ku u përfshinë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ruzhdi Hoxha rezulton të jetë larguar nga shtëpia rreth orës 23:00 të 20 tetorit.
I biri Saimir Hoxha denoncoi në polici se prej asaj kohe nuk kanë pasur më kontakt me të.
Më 24 tetor djali bën kallëzimin në Komisariatin e Policisë Nr.5, dhe një ditë më vonë njoftimi i zhdukjes u publikua në web-in e Policisë së Shtetit.
Prej këtij afati deri dje askush në publik nuk dinte për ngjarjen dhe vetëm më 5 Nëntor, lajmi i rrëmbimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha doli në media.
Të shtunën, më 6 nëntor u zbulua i pajetë. Në media nuk munguan as spekulimet bazuar mbi dyshimet se zhdukja ishte inskenim nga biznesmeni me aktivitet në fushën e materialeve të ndërtimit dhe inerteve në Kamëz.
Hera e fundit
Hera e fundit kur ishte parë 43 vjeçari kishte qenë në zonën e Ardenos në Autostradën Tiranë - Durrës. Babai i dy fëmijëve ka qenë në tavolinën e një lokali me dy persona të tjerë, kur një person, që mendohet se njihej me të e ka thirrur dhe e ka marrë me makinë.

Policia verifikoi kamerat e zbuloi se mjeti ku hipi Ruzhdi Hoxha ishte larguar në drejtim të Kamzës e më pas nga Zall Herri ku dhe humbi gjurmët.
Për 7 ditë telefoni ka qenë i mbyllur ndërkohë të shtunën e kaluar telefoni i tij ka qenë i hapur dhe është gjetur në zonen e shkollës së bashkuar Tiranë. Policia shoqëroi dje për të marrë në pyetje mikun e tij Fredi Rrushi


