"Nene kundër oligarkisë", Basha paraqet nismën e re ligjore të PD-së
Partia Demokratike paralajmëron ndërmarrjen e një tjetër nisme ligjore që do i dorëzohet Kuvendit për shqyrtim
Kryedemokrati Lulzim Basha se ekspertët e PD-së po hartojnë nismën “nene kundër oligarkisë” si pjesë e ligjit antimafia, duke e lidhur me nismën tjetër të PD, atë të vettingut të politikanëve.
“Por vëmendja juaj sot duhet të përqendrohet edhe në një lajm tjetër që i shtohet vettingut të politikanëve. Javën e ardhshme ne do të përparojmë me ligjin e formuluar prej kohësh, draft-ligjin e formuluar prej kohësh, për të përfshirë në kuadrin ligjor anti-mafia, pra në ligjin anti-mafia, edhe nene kundër oligarkisë,” tha Basha.
Basha komentoi për herë të parë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila njohu mandatet e kryetarëve të bashkive që dolën nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.
“E para e punës të presim vendimet dhe zbardhjen e tyre. Padiskutim që atentati anti-demokratik i “30 qershorit” është pjesë e skemës së shkatërrimit të demokracisë nga rrëgjimi në fuqi dhe objektivi kryesor i Partisë Demokratike është të rikthejë Shqipërinë në një vend demokratik nga një regjim autokratik në të cilin është kthyer nën sundimin e Edi Ramës,” tha Basha.
Ndërkaq pas vendimit për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë do të hyjë në një proces zgjedhor.
Kryetari i PD, Lulzim Basha urdhëroi këtë të shtunë zhvillimin e zgjedhjeve për kryetaren e LDGSH-së, post i cili mbahet nga Albana Vokshi, e cila ka dalë në mbështetje të lëvizjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
