Këlliçi konfirmoi pjesëmarrjen në Foltore, Basha për zgjedhjet ne forum: Kryetarit të FRPD-së i ka mbaruar mandati

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka kundwrshtuar  vendimin e Lulzim Bashës për të zhvilluar zgjedhje brenda kësaj strukture.

Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së zhvilluar me anëtarët e FRPD-së, Këlliçi tha se ky proces zgjedhjesh që pritet të zhvillohen është totalisht kundër statutit dhe synon uzurpimin e FRPD-së nga Basha.

Gjithashtu Këlliçi konfirmoi pjesëmarrjen e tij ditën e diel në Foltoren me të rinjtë e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka cilësuar sajesa për interesa personale akuzat se vendimi për zgjedhjet në FRPD vjen pasi kreu i kësaj organizate Belind Këlliçi ka deklaruar se do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës.

Basha: Nuk është aspak e vërtetë, kjo është një sajesë e fabrikuar për sajesa personale. Për herë të parë nën drejtimin tim, FRPD ka zhvilluar zgjedhje, madje zgjedhje 1 anëtar, 1 votë për kryetarin si dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese. Për fat të keq mandati i forumeve drejtuese dhe kryetarit ka skaduar dhe në përputhje me normat demokratike të rinjtë dhe të rejat do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke përfshirë edhe kryetarin e ri.

Ne kemi shumë sfida përpara por asgjë nuk mund ta pengojë PD të zbatojë normat statutore të demokracisë dhe aq më pak interesat personale të pengojnë funksionimin e parimeve të tilla siç janë zgjedhja e një anëtari një votë që është një risi për të cilën PD është ballë lartë dhe unë si kryetar i saj jam krenar.