“ADN” për abuzuesin e minorenes, prokuroria ka 45-ditë të provojë akuzat ndaj 53-vjeçarit
Prokuroria e Gjirokastrës ka 45 ditë kohë për të dokumentuar denoncimin e një 16 -vjeçareje se daja i babait të saj e abuzoi seksualisht për 4 vite me radhë. 53- vjeçari nën akuzë u shfaq i qetë para togave te zeza ku mohoi akuzën. Ai tha se vajza ka lidhje me një 32-vjeçar dhe kërkoi analizë ADN-je për të zbuluar të vertetën e gjithë historisë.
Gjykata e Gjirokastrës caktoi masën "arrest me burg" për 45 ditë për 53-vjeçarin nga Libohova të arrestuar me dyshimin se abuzoi seksualisht vajzën e mitur të nipit.
Kjo kohë duhet të përdoret nga prokuroria për të plotësuar hetimin dhe të shuajë me prova çdo dyshim për rastin e denoncuar nga 16-vjeçarja që pretendon se është viktimë e dhunës seksuale.
I braktisur nga familjarët dhe nën mbrojtjen e një avokati të caktuar nga shteti, 53- vjeçari u paraqit i qetë në Gjykatë, pavarësisht akuzës së rëndë me të cilën përballet.
Para gjyqtares Suela Dashi, u vetëdeklarua i pafajshëm dhe dëshmitar për këtë tha se ka gjithë Libohovën.
"Jam shumë i qetë se në përfundim do dalë tjetër kush i akuzuar për një vepër të stisur. Vajzën e kam trajtuar si vajzën time pasi jemi pjesë e një familjeje dhe në asnjë rast nuk ka pasur tentativa për të kryer ndonjë marrëdhënie intime".
E vërteta e historisë sipas tij mund të zbulohet vetëm me një analizë.
"Jam i bindur që pas kryerjes së analizave në trupin e 16-vjeçares do zbulohet ADN e një tjetër personi që është një 32-vjeçar nga Libohova".
53-vjeçari u arrestua të enjten nga Policia e Gjirokastrës mbi bazën e denoncimit nga familja e 16-vjeçares, e cila në dëshminë e saj tha se ishte abuzuar nga daja i të atit për 4 vite me radhë.


