Aksidenti në Fushë Krujë: I dehur në "Audi" përplasi makinën ku udhëtonte çifti. Gruaja humbi jetën burri rëndë në spital
Nga OraNews Përditësimi i fundit 6 Nëntor 2021, 11:54
Policia ka arrestuar 31 vjeçarin banues në Fushë Krujë si autor të aksidentit të ndodhur mbrëmjen e 5 nëntorit në aksin rrugor Tapizë-Fushë Krujë.
Ai drejtonte mjetin “Audi” i cili u përplas me mjetin tip "Volkswagen" me drejtues shtetasin P. Ç duke shkaktuar plagosjen e këtij të fundit dhe vdekjen e bashkëshortes e cila ishte pasagjere në makinë.
"Arrestohet A.Ç., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi duke drejtuar mjetin tip "Audi" në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin tip "Volkzvagen" me drejtues shtetasin P. Ç., si pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit P. Ç., 68 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe ka gjetur vdekjen bashkëshortja e tij, shtetësja Xh. Ç., 67 vjeç" informoi policia e Krujës.