"Kasaforta" Policia zbardh grabitjen e Nazmi Çangut në Nikël, në banesat e autorëve gjendet dhe detektor ari
Policia e Krujës ka zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore vjedhjen me dhunë dhe nën kërcënimin e armës të një shume parash në banesën e biznesmenit Nazmi Çangu.
Në kuadër të operacionit të koduar "Kasaforta" u arrestua në flagrancë shtetasi Saimir Kuçi, banues në Tiranë, ndërsa shtetasi Artan Prenga ndiqet me masa kërkimi.
Po ashtu, po ndiqen me masa kërkimi edhe disa shtetas të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.
Çfarë u gjet në banesë
Gjatë kontrolli të banesave në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 14 telefona, një palë pranga, armë të ftohta, lëndë narkotike, 1 bllokues valësh, pajisje elektronike, detektor për kërkim sendesh të çmuara, një maskë bashkë me doreza, ora të markave të ndryshme me vlerë, bizhuteri floriri, koleksion monedhash (60 monedha të vjetra të shteteve të ndryshme).
Ky operacion u zhvillua pas një pune hetimore dhe gjurmuese të bërë nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit në nivel vendor dhe qëndror, me kontributin profesional të Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, duke bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore se shtetasi Artan Prenga, në bashkëpunim me persona të tjerë, është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 24.10.2021, në fshatin Nikël të rrethit Krujë.
Materialet iu kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprime të mëtejshme.



