"E di vendin tim në histori", Rama: Refuzimi i Open Balkan, falimentim i sigurt. Hoqi kufirin mes Shqipërisë e Kosovës
Kryeministri, Edi Rama, tha se kërkim-falja e Serbisë për krimet e luftës në Kosovë është kapaku që duhet ti vihet një dialogu që çon në njohjen reciproke.
Por Rama në bashkëbisedimin me gazetarët shqiptarë në Beograd, tha se Kosova nuk mund të kushtëzojë me këtë qoftë procesin e dialogut me Serinë ashtu dhe pjesëmarrjen e saj në Open Balkan.
Sipas Ramës, refuzimi për ta parë Ballkanin e Hapur si një mundësi është falimentim i sigurt i çdo rruge kokëfortësie dhe ndeshjeje me brirë në kushtet kur nuk jemi në luftë.
Rama: E keni dëgjuar sa shpesh thuhet që Serbia duhet të kërkojë falje dhe jam shumë dakord. Kërkimi i faljes nga Serbia është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që duhet të zgjidhë të gjitha çështjet dhe duhet ti japë zgjidhje përfundimtare njohjes së Kosovës nga Serbia. Por aty ku dalloj unë nga ata që ma vënë përpara faljen për të më treguar sesa unë jam tradhëtar, unë them që falja vjen në fund jo në fillim. Nuk ka ardhur kërksa e faljes së Gjermanisë në 1945 por në 1969. Deri atëherë Gjermania dhe Franca kanë bërë gjithçka përveçse kanë arrritur paqen përfundimtare dhe faljen dhe e kanë filluar siç po ndodh me Ballkanin e Hapur me marrëveshje të natyrës ekonomike, shkëmbimet e njerëzve.Njerëzit nuk mund të presin të zgjidhet ky konflikt sakohë jemi në paqe, paqja kërkon ushqim, mirëqënie, edukim. Këto gjëra nuk mund tu mohohen njerëzve në emër të një ideje se këtu nuk ka dialog nëse ne nuk na kërkohet falje sepse nuk funksionon dhe nuk ka për të funksionuar.
Sigurisht Ballkani i Hapur nuk është një çelës magjik por proces që ndihmon në këtë proces. Por ama refuzimi për ta parë Ballkanin e Hapur si një mundësi është falimentim i sigurt i çdo rruge kokëfortësie dhe ndeshjeje me brirë në kushtet kur nuk jemi në luftë. Kemi një konflikt të trashëguar nga lufta që duhet ta zgjidhim, në këtë pikë nuk ka asnjë ndryshim mes Shqipërisë dhe Kosovës, mes qëndrimit tim dhe të gjithë atyre që thonë se Serbia duhet të njohë Kosovën, padiskutim. Por imagjinoni se çfarë është arritur. Deri jo shumë vite më parë nuk mund të bëheshin dot tryeza në nivele të treta dhe të katërta të administratës së serbët iknin nga tavolina, sot Serbia thotë bujrum, hajdeni dhe uleni, jeni të mirëpritur. Është një arritje shumë e madhe për shqiptarët dhe për Kosovën që është rezultat i politikës së jashtme dhe diplomacisë tonë për ta çuar rajonin në këtë rrugë. Nuk gjykoj dhe marr vendime në emër të Kosovës por është pak por e sigurtë se ky proces sjell vetëm të mira. Të refuzosh do të thotë ti mohosh vetes, vendit tënd dhe popullit tënd të mirat që sjell procesi.
Ai madje nënvizoi se të gjitha aksionet diplomatike të Shqipërisë në këtë drejtim janë edhe në favor të Kosovës, pavarësisht se autoritetet atje nuk duan ti shohin.
Rama tha se është Ballkani i Hapur që e ka bërë inekzistent dhe kufirin mes dy shteteve shqiptare.
Rama: Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës, Ballkani i Hapur ka mundësuar që të kemi realitet heqjen e kufirit. Kufiri nuk hiqet dot në konflikt të hapur me Serbinë, se jo Serbia, po ngrihet Uashingtoni dhe Brukseli dhe thonë Shqipëria e Madhe. Sot është realizuar. Janë disa përparime të rëndësishme që Shqipëria ka bërë edhe në funksion të Kosovës, nuk duan ti shohin, nuk duan ti kuptojnë, duan ti damkosin si tradhëti, nuk është problemi im. Unë e di vendin në histori të Ballkanit të Hapur, nuk ka nevojë të ma tregojë apo paralajmërojë njeri për rrezikun që vendi i Ballkanit të Hapur në histori të jetë në pjesën e errët të historisë së Ballkanit Perëndimor. Vendi i Ballkanit të Hapur në historinë e rajonit do të jetë në pjesën e ndritshme të historisë së Ballkanit.
