Shpërthejnë ujërat e zeza në rrugën "Niko Avrami" në kryeqytet, asnjë masë nga institucionet
Kjo është rruga "Niko Avrami" ku prej ditësh kanë shpërthyer ujërat e zeza, ndërsa nga institucionet ende nuk janë marrë masat e duhura për normalizimin e situatës.
Shpërthimi i ujërave të zeza përbën një rrezik të madh për banorët, por edhe kalimtarët që mund të preken nga epidemi të ndryshme.
Qytetarët kërkojnë marrjen e masave sa më parë.
"Ka pisllëqe të mëdha, është çarë këtu, atje matanë, aty lart, poshtë. Këtu nuk dihet se çfarë bëhet. Po sëmuremi, po sëmuren kalamajtë nga uji i pisët."
"Ta rregullojnë për kalamajtë e shkollës se ne të mëdhenjtë do kalojmë si do kalojmë, si kemi kaluar 50 vjet. Të paktën për fëmijët."
Situata bëhet akoma më problematike pasi në zonë ndodhet shkolla "Bajram Curri" dhe qindra fëmijë janë të rrezikuar.
Asnjë drejtues mjeti nuk është informuar me një tabelë për pusetën që nxjerr ujë dhe rrugën e prishur.
Prej ditësh në këtë aks po krijohet një gjendje kaotike dhe për drejtuesit e mjeteve të cilët rrezikojnë t'i shkatërrojnë makinat e tyre në këtë rrugë.
