Reforma zgjedhore, PS propozon Damian Gjiknurin si bashkëkryetar të Komisionit të Posaçëm
Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, socialistët kanë zyrtarizuar dakordësinë për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke folur pas mbledhjes së grupit tha se socialistët kanë propozuar Damian Gjiknurin si bashkëkryetar.
Taulant Balla: Diskutuam për kërkesën e PD për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Prej fillimit të legjislaturës kemi propozuar që të ngrejmë sa më parë komisionin e posaçëm. Falenderoj grupin parlamentar të PD që erdhi me propozim konkret.Kemi miratuar dakordësinë tonë të plotë për të ngritur komisionin për reformën zgjedhore ku ne do të propozojmë bashkëkryetar zotin Gjiknuri. Shpresojmë që edhe PD të vijë me propozimin e bashkëkryetarit dhe më pas të dy të ulen dhe të formulojnë edhe projektvendimin përkatës të mënyrës së funksionimit. Kemi plot formula ekzistuese, gjithmonë janë drejtuar me bashkëkryetarë, të drejton e vetos së të dy palëve dhe mbi këtë traditë le të vijojmë punën duke respektuar gjithë përfaqësimin parlamentar. Dhe nga deputetët e LSI është shfaqur kërkesa të jenë të përfaqësuar në komision. Sapo projektvendimi të jetë gati dhe grupi parlamentar i PD të propozojë bashkëkryetarin ne të kalojmë sa më parë në seancë plenare dhe ngritjen e këtij komisioni të posaçëm.
Propozimet e PD për ndryshimet kushtetuese
Propozimet e PD propozojnë karakterin formal. Kanë mbështetjen e më shumë se 28 deputetëve. Kushtetuta dhe rregullorja e kanë të përcaktuar qartazi si Kuvendi i shqyrton nismat kushtetuese. Nismat kushtetuese pasi depozitohen qëndrojnë 2 javë të publikuara na faqen zyrtare të Kuvendit. Sapo të plotësohet afati, Kuvendi thërret mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve.Nikolla është mbi palët në këtë aspekt dhe do të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren dhe do të thërrasë mbledhjen.
Shtyrja e mandatit të komisioneve të vettingut
Sot do të kemi mbledhjen e parë të Këshillit të Legjislacionit në Komisionin e Ligjeve për propozimin tonë, i cili ka plotësuar afatet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe rregullorja, përcaktimi i relatorëve dhe ekspertëve, ku do prezantojmë nismën tonë.Propozimi ynë për ndryshimet kushtetuese është rekomanduar fuqishëm nga miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë për vijimin dhe mbylljen në kohë të një procesi historik të pastrimit të drejtësisë së Shqipërisë, siç është vettingu.
Si do sigurohen votat për vettingun?
Rekomandimi i fortë i partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë për të shtyrë këtë afat tejkalon axhendat politike të çdo subjekti politik. Duhet ti qëndrojmë këtij rekomandimi. Falenderoj ONM që ka bërë një punë të shkëlqyer në vijueshmërinë e këtij procesi, kanë vëzhguar dhe kanë qenë pjesë e pandashme e vettingut.