Ngeci në rrjetën e vettingut për pasurinë, prokurori Braho hetoi vrasjen e Klodian Rashës
Ardian Braho, prokurori i Prokurorisë së Tiranës që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi sot nga detyra ka hetuar vrasjen e të riut, Klodian Rasha, nga efektivi i Policisë, Nevaldo Hajdaraj, ngjarje e ndodhur 8 dhjetorin e vitit të kaluar në kryeqytet.
Me shumicë votash, 2 pro dhe 1 kundër, Braho u shkarkua për probleme me pasurinë.
Nevaldo Hajdaraj u dënua me 15 vite burg për vrasjen e Rashës, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 10 vite.
I dënuari ka apeluar vendimin por edhe prokuroria gjithashtu pasi kishte kërkuar dënimin me 20 vite të ish-efektivit.
Vrasja e 25-vjeçarit shkaktoi reagim të madh dhe protesta të shumta në kryeqytet për disa ditë me radhë, në fund të të cilave ministri i Brendshëm i kohës, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen.
Ndërsa babai i viktimës deklaroi pas vendimit se djali i tij ishte vrarë nga një sekt i dhunshëm, duke iu referuar Policisë së Shtetit.
