“Pelikani Kaçurrel” tërheq vizitorë/ Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, destinacion për turistët e natyrës
Pelikani Kaçurrel, i kthyer në simbol, po tërheq në Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta gjithmonë e më shumë vizitorë që kërkojnë një ditë të qetë mes natyrës. Turistët vlerësojnë natyrën por janë kritikë me ndotjen e zonës së mbrojtur.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ndodhet 90 km nga Tirana dhe vit pas viti po kthehet në një destinacion për turizmin gjithëvjetor.
Në këtë periudhë të vitit preferohet kryesisht nga ata që kërkojnë një fundjavë të qetë mes natyrës.
Të shumtë në çdo stinë janë turistët e huaj që i çon aty interesi për florën e faunën e pasur.
“Pelikani Kaçurrel”, është kthyer në Simbol i Lagunës së Karavastasë, por aty mund shihen edhe Flamingot ndërsa në zonë ende mbarë shtrohen buajt e zi.
“Është hera e parë që vizitoj Divjakën me simbol Pelikanin Kaçurrel. Shëtitëm dhe me varkë dhe shijuam pamje nga kulla 360 gradë, më pëlqeu shumë. Parku bashkë me lagunën janë bukuri e rrallë.”- shprehen turistët nga Franca.
Nga Kulla panoramike mund të vëzhgohet e gjithë zonë, ndërsa parku mund të eksplorohet me varka ose në këmbë
Plazhi, laguna dhe pylli janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, ku turistët ngrejnë shqetësim për ndotjen e zonave të mbrojtura.
“Është hera e parë që kam ardhur këtu. Bukur është por ka nevojë dhe për përmirësim. Njerëzit duhet të jenë të ndjeshëm të mos hedhin shishe.”- shprehet turisti.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një ndër zonat më e rëndësishme komplekse për sa i përket biodiversitetit në Shqipëri.

