Kandidat për kryetar i PD, Kadilli: Idetë e mia janë pjesë e ‘Foltores’ së Berishës dhe aksioneve të Bashës
Fatbardh Kadilli ka shpallur sërish kandidaturën për kryetar të PD.
Në një intervistë për Ora News, Kadilli shprehet se në këtë garë ka se çfarë t’i ofrojë Partisë Demokratike.
Fatbardh Kadilli: Unë nuk kam rivendosur dje unë e kam shpallur gjithmonë. Në rastin e parë që do të jetë një garë e PD unë do jem në garë sepse mendoj se kam çfarë t’i ofrojë PD. Gara e fundit që u bë nuk ishte e barabartë, megjithatë unë paraqita manifestin politik për ngritjen e PD. Manifesti politik u bë një ngjarje moderne dhe shumë avancuese për PD dhe kjo provohet nga një fakt shumë i thjesht.
Kadilli thotë se disa prej tezave që artikulon Berisha në ‘Foltore’ janë ide të Kadillit, që i paraqiti kur u zhvilluan zgjedhjet brenda PD për kreun e kësaj force politike. Po ashtu ai thotë edhe Basha ka ‘vjedhur’ sfidat politike të manifestit të tij politik.
Fatbardh Kadilli: Tezat që artikulon Berisha janë pjesë e manifestit politik që kam paraqitur unë. Sfidat politike që artikulon manifesti politik të paraqitura prej meje janë marrë nga Basha dhe janë kthyer në sfida parlamentare. Unë e di se çfarë mund të ju ofrojë demokratëve në një garë. Unë nuk i shmangem asnjë gare.
Më tej Kadilli tregon se cili është ndryshimi i tij nga Basha.
Fatbardh Kadilli: Dallimi im me Bashën është se unë nuk e pranojë kurrë vakumin politik. Nëse kundërshtari ka mjete më shumë se ti edhe nëse i ka të pamerituara i ka. Njerëzit betejën e kanë me vota por edhe me ide. Idetë e mia sot janë pjesë e ‘Foltores’ së Berishës dhe aksioneve të Bashës. Në këtë jam krenarë përballë të dyve.
Intervistoi gazetarja Siklajda Shorja, përgatiti për online Anila Kolgjini.
