U braktisën nga investitori, banorët e një pallati në “Don Bosko” marrin certifikatat e pronësisë

Procesi i legalizimit të pallateve të braktisura nga investitorët ka vijuar në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, iu bëri thirrje banorëve që të bëhen bashkë për të përfunduar procedurat dhe për të marrë certifikatat e pronësisë.

I ndërtuar 14 vite në parë, ky pallat në zonën e “Don Boskos” në Tiranë u braktis nga investitori duke penguar banorët të pajisen me dokumentin e pronësisë.

Pas një kohe të gjatë pritjeje, banorët ja dolën që të bëhen pronarë të shtëpive të tyre.

Certifikatat e pronësisë u dorëzuan nga drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, i cili shpjegoi gjithë procesin se si u arrit legalizimi i pallatit.

“Kemi qenë në këtë zonë me kryeministrin, jo më larg se 50 m që këtu. Legalizimin e pallateve e kemi filluar fiks në këtë zonën këtu para disa vjetësh, me ato qe quheshin pallatet e Arabit. Ka qenë ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama sepse kishin mbetur për gati 15 vjet pa u pajisur me certifikatë pronësie. U detyruam të bënim një VKM të posaçme vetëm për ato pallate dhe në atë eksperiencë të parë vumë re dyndjen e njerëzve që donin të legalizonin pallatet. Më pasi hymë procedurave për të bërë legalizimin e pallateve sipas tipologjisë, derisa sa arritëm tek ligji 20/20”tha Lame.

 “Investitori ka shkelur lejen e ndërtimit dhe për këtë arsye nuk ka marrë dot lejen e përdorimit. Vet subjekti ka bërë pranë ish-ALUIZNI-it vetëdeklarimin, po kur ne kemi nisur procedurat e lajmërimit investitori nuk është përgjigjur. Janë paraqitur vet banorët e këtij pallati, por ne nuk vijonim dot kur vërejtëm se kishte procese gjyqësore. Me ndryshimet ligjore të 20/20, me kërkesën e administratorit u bë e mundur emetimi i lejeve, pas plotësimit të dokumentacionit tekniko- ligjor”shpjegoi drejtoresha e Drejtorisë Vendore Tirana-Veri Elira Gogo.

Pallati në fjalë përbëhet nga 80 njësi banimi dhe shërbimi ndërsa procedurat e legalizimit janë mbyllur edhe për ato familje që janë emigrim dhe nuk kanë mundur të paraqiten në zyrat shtetërore./Ora News/