Skandali në Universitete, rektori mohon shpërdorimin me fondet: Janë të gjitha të parashikuara

Ndërkohë që raportohet se nuk është hedhur asnjë lekë për kërkimet shkencore, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha hedh poshtë këto pretendime, duke theksuar se vëmendja nuk ka munguar asnjëherë. Ndërkohë, Hoxha sqaron se studentët nuk kanë qenë asnjëherë të detyruar të vaksinohen për të hyrë në auditore, por vetëm pak të sforcuar.

Bazuar mbi dokumente zyrtare Qëndresa Qytetare denoncoi se Universiteti i Tiranës nuk ka shpenzuar asnjë lekë për kërkimet shkencore gjatë vitit akademik 2020-2021.

Por rektori i këtij universiteti Artan Hoxha e hedh poshtë këtë pretendim, ndërsa nuk thotë asnjë shifër se sa lekë janë shpenzuar për shkencën konkretisht gjatë vitit të kaluar.

"Është i vërtetë fakti që ka një financim të planifikuar më të ulët se sa ai për realizimin e detyrimeve të tjera që Universiteti ka, por nuk është i vërtetë që e ka zero buxhetin në Universitetin e Tiranës," tha Hoxha.

Ndërsa për pesë vitet e ardhshme universiteti i Tiranës së bashku me OST-në do të shtrijnë bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor, e paqartë mbetet shifra e këtij investimi.

"Kryesisht në dy fusha; në fushën e ekonomisë dhe në fushën e drejtësisë e ligjit," tha Hoxha.

Në lidhje me shpenzimet e tjera të këtij universiteti gjatë vitit akademik kur në auditore nuk ka pasur studentë, Hoxha garanton se pavarësisht shifrës, 4.142.168 euro kanë shkuar për udhëtime, ngrohje, procese gjyqësore, etj, duke nënvizuar se nuk ka asnjë abuzim.

"Unë nuk di shifra të të them, por di që çfarë është planifikuar është nevojë e Universitetit të Tiranës për të përmbyllur me sukses vitin akademik dhe financiar," tha Hoxha.

Rektori Hoxha foli edhe për vaksinimin e studentëve, duke theksuar që ky proces nuk është i detyruar.

"Nuk është e vërtetë që vaksinimi i studentëve është me detyrim. Është i vërtetë fakti që në Universitet ka më shumë sforcim për të marrë pjesë në auditor se sa në ambiente të tjera," shtoi Hoxha.

Sa i përket kuotave, Artan Hoxha tha se ka ende të lira dhe se gjuha ruse dhe ajo greke rrezikojnë të mbyllen.

Skandali në Universitete, rektori mohon shpërdorimin me fondet: